TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ditën e sotme, Edi Rama, siç në fakt pritej të ndodhte, e preu edhe njëherë në besë opozitën, duke miratuar në mënyrë të njëanshme ndryshime në Kodin Zgjedhor, duke përdorur palaçot e të ashtuquajturës "opozitë e re".
Pas kësaj ngjarje, pritej me kërshëri reagimi i komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht për faktin se ambasada e SHBA-ve, ajo britanike dhe përfaqësia e BE-së, ishin mbikqyrëse dhe garante të negociatave mes palëve në Këshillin Politik. Madje, takimet mes palëve, u zhvilluan edhe në rezidencën e ambasadës amerikane. Të gjithë e kujtojnë deklaratën e famshme të Yuri Kim, që tundte një letër para kamerave dhe ja la topin në fushë "Luli Bashës", kur ishte puna për të siguruar konsensusin e opozitës.
Mirëpo, reagimi i sotëm i ambasadës, siç thotë populli shqiptar në shprehjen popullore "as mish, as peshk", ishte një përpjekje për ta relativizuar, aktin e rëndë që kreu Edi Rama në Kuvend, duke e përqeshur dhe rrëzuar përfundimisht konsensusin.
Në deklaratë, bëhet një shpjegim i panevojshëm, i futur ashtu si kot, se marrëveshja e 5 qershorit nuk është shkelur, por se mazhoranca mund të shkonte më tej për të arritur konsensusin.
Pra, brenda deklaratës, edhe pse ka një "mini-kritikë" për Edi Ramën, fillimisht thuhet se mazhoranca nuk e ka shkelur teknikisht marrëveshjen, duke e shfajësuar Edi Ramën, ndërkohë që vetë Këshilli Politik ishte një instrument, për të arritur një produkt konsunsual dhe për të rënë dakord mbi një çështje themelore, siç janë rregullat e lojës për zgjedhjet e ardhshme.
Pasi ushtruan trysni publikisht, mbi Lulzim Bashën dhe opozitën, për të braktisur rrugën që kishin nisur me protesta dhe pasi hynë garant për një marrëveshje për kodin zgjedhor, duke i ftuar palët edhe fizikisht në rezidencën e tyre, për të rënë dakord dhe jo vetëm për të ngrënë sanduiçe, ambasada e SHBA-ve, jo vetëm ka dështuar të përmbushë rolin që e mori vetë, por me deklaratën e sotme, e ka relativizuar aktin e rëndë që Rama kreu ditën e sotme, duke minuar konsensusin.
Ndryshe nga deklarata e SHBA-ve, ambasada britanike, e shprehu keqardhjen për atë që ka ndodhur ditën e sotme, duke mos bërë shpjegime të detajuara dhe të parëndësishme, se si teknikisht Edi Rama, nuk e paska thyer "5 qershorin".
Edhe njëherë Lulzim Basha dhe opozita, duket se janë viktima të besimit që i kanë dhënë regjimit autorkratik të Edi Ramës, duke u ulur në tryezë me të, por edhe besimit të madh tek roli i komunitetit ndërkombëtar për të futur Edi Ramën në shinat e konsensusit.
/TPZ.al/
LEXO EDHE:
https://www.tpz.al/2020/10/05/rama-minoi-konsensusin-reagon-ambasada-britanike-keqardhje-qe-ndryshimet-e-sotme-jane-bere-pa-dakordesine-e-keshillit-politik/