AKTUALITET, 5 Janar 2020, 13:11

Dëbimi i mësuesit turk nga Shqipëria, reagon një tjetër eurodeputete: Urgjentisht hetim i pavarur!


Pas raportimeve se shtetasi turk Harun Çelik, 42 vjeç, me profesion mësues është dëbuar në mënyrë të paligjshme nga vendi ynë, vjen reagimi nga një tjetër eurodeputete.

Pas qëndrimit të mbajtur nga Ramona Strugariu, Rebecca Harms është e dyta eurodeputete që dënon rrëmbimin e kërkon hetim të pavarur e të plotë të kësaj ngjarjeje.

“Kërkohet urgjentisht një hetim i pavarur i këtij rasti dhe rasteve të ngjashme të rrëmbimeve të shtetasve turq jashtë vendit”- shkruan ajo në një shënim të bërë në Twitter.

Ndërkohë që më herët ishte dënuar ashpër dëbimi i mësuesit turk.

“Rrëmbimi i paligjshëm i shtetasit turk Çelik nga qeveria Rama shkel të drejtat e njeriut dhe shkel ligjin shqiptar dhe ndërkombëtar, përfshirë konventat e Këshillit të Evropës”, theksonte Initiative of Human Rights and Freedom ne Marburg.

Dëbimi i mësuesit turk

Rrjetet sociale shpërthyen mbrëmjen e së mërkurës duke dhënë lajmin për dërgimin e Hasan Çelik drejt aeroportit të Rinasit ndërsa një orë më vonë, zëdhënësi i Policisë së Shtetit Gentjan Mullai i konfirmoi BIRN se personi në fjalë “është dëbuar nga vendi”.

“Personi ka qenë në burg pasi është kapur nga policia kufitare e Rinasit me dokumente false. Në zbatim të ligjit “për të Huajt” do [të] dëbohet,” tha Mullai.

Zyra e Kryeministrit Edi Rama tha e pyetur nga BIRN se “dënimi është një çështje procedurash ligjore që nuk ka lidhje me kryeministrin”.

Shqipëria i bashkohet në këtë mënyrë një numri të vogël shtetesh që i binden kërkesës së presidentit të Turqisë Recep Taip Erdogan për të dërguar në Turqi për përndjekje penale çdo person të lidhur me lëvizjen globale Gulen, të cilën ai e akuzon si organizatore të grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016.

Në shkurt 2015, Kosova dëboi pesë shtetas të kërkuar nga Turqia duke shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe kritika të ashpra nga BE dhe SHBA për shkelje të procesit të rregullt ligjor dhe dhunim të të drejtave themelore të njeriut.

Kryeministri Ramush Haradinaj në atë rast shkarkoi kreun e shërbimeve sekrete të vendit si dhe ministrin e Brendshëm duke pretenduar se nuk kishte pasur dijeni për dëbimin.