AKTUALITET, 5 Janar 2020, 12:45

“Al Shabaab” sulmon bazën ushtarake amerikane në Kenia

“Al Shabaab” sulmon bazën ushtarake amerikane në Kenia


Grupi militant “Al Shabaab” ka sulmuar një bazë ushtarake në Lamu të Kenias. Kjo bazë përdoret nga forcat amerikane dhe forcat vendore.

“Ata e kanë sulmuar pistën Manda në Lamu, e cila ndodhet pranë kampit ushtarak me personel të huaj nga shumë vende, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Kemi informacion se sulmet ende janë duke vazhduar”, tregoi një burim nga baza ushtarake.

Ky burim tha se sulmuesit janë duke u përpjekur që t’i qasen bazës përmes pistës. Në disa pamje të publikuara shihet tym i zi.

Përgjegjësinë për sulmin përmes një deklarate e mori grupi Al Shabaab.

“Një grup elitë i ushtarëve të brigadës Al Mujahideen e ka nisur një sulm të guximshëm ndaj një baze ajrore amerikane”, thuhet në deklaratën e këtij grupi.

Ky sulm ndodhi rreth një vit pas sulmit vetëvrasës në kryeqytetin kenian, Nairobi, në të cilin mbetën të vrarë 21 persona, shkruan “Reuters”.