AKTUALITET, 10 Gusht 2018, 17:01

Debati për dy nënshtetësitë, jep dorëheqjen sekretari i përgjithshëm i Federatës së Zvicrës

Debati për dy nënshtetësitë, jep dorëheqjen sekretari i

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Zvicerane të Futbollit, Aleks Miesher, ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme. Ai e ka bërë zyrtar vendimin e tij, duke i paraqitur dorëheqjen presidentit të Federatës së Zvicrës, Peter Gilieron.

Miesher ishte vënë në qendër të vëmendjes mediatike për shkak të debatit për nënshtetësinë e dyfishtë të lojtarëve të kombëtares zvicerane dhe çështjen e festës me shqiponjë nga Xhaka dhe Shaqiri në Kupën e Botës. Sekretari i Federatës së Zvicrës është kritikuar shumë nga tifozët dhe lojtarët.

“Për nëntë vite kam pasur privilegjin të ndihmoj futbollin zviceran, që nga fëmijët e deri tek elita. Javët e fundit ka pasur shumë keqkuptime dhe kam vendosur të largohem”, – shkruan Miesher në dorëheqjen e tij. Presidenti Gileron e ka pranuar këtë dorëheqje dhe vendin e Miesher do ta zërë Robert Breiter.

Duhet thënë se Miesher ishte një nga njerëzit që kundërshtuan Dukën në kongres, kur ai foli për njohjen e Kosovës si Federatë më vete. Në atë kohë FIFA nuk i kishte vendosur ende rregullat për lojtarët me origjinë nga Kosova. Pas përjashtimit të Valon Behramit, futbolli zviceran është përfshirë nga një situatë shumë e zhurmshme, me akuza dhe kundërakuza.