AKTUALITET, 10 Gusht 2018, 16:24

Vrasja mafioze e Fatbardh Licit, kunatit të Lulzim Kullës, “të fortit të Shkodrës”

Vrasja mafioze e Fatbardh Licit, kunatit të Lulzim Kullës,

Stili i vrasjes është tipik mafioz. Një person i maskuar zbret nga makina “Benz” pa targa, i afrohet   objektivit të tij që pi kafe qetësisht në lokalin e tij të preferuar në Shkodër, i zbras 15 plumba me një automatik “Scorpion” dhe e lë atë të vdekur në vend.

Fatbardh Lici, 53 vjeç dhe babai i tre fëmijëve, është viktima e radhës në qytetin e Shkodrës. Ai u ekzekutua mëngjesin e sotëm në orën 7:15, ndërsa ndodhej në një lokal në lagjen “Guerile”. Viktima është vëllai i Mustafa Licit anëtar në Këshillin Bashkiak të Shkodrës.  Familja Lici ka hapur dyert e mortit, ndërsa 53-vjeçari do të përcillet për në banesën e fundit sot në orën 19:00.

VIKTIMA ME PRECEDENTË

Fatbardh Lici është një emër i njohur në kryeqendrën e Veriut. Kjo për faktin se, 53-vjeçari ishte i përfshirë në vrasjen e Astrit Kurmemajt 7 vite më parë. Kurmemaj ishte i dënuar me 25 vite burg për disa vrasje. Ai u vra në hyrje të Rrogozhinës, gjatë periudhës që mori 3 ditë leje nga burgu i Shën Kollit ku vuante dënimin, dhe teksa kthehej për në institucionin e vuajtjes së dënimit. Ndonëse u shoqërua në komisariat, Lici u la i lirë për mungesë provash.

LIDHJET ME BOTËN E KRIMIT

Lici është njëherësh edhe kunati i Lulzim Kullës, i njohur si një nga të fortët e Shkodrës dhe i arrestuar pak kohë më parë pasi tentoi të arratisej nga Shqipëria. Më 12 janar 2018, ai i shpëtoi një atentati në lokalin e tij në Shkodër pas vënies së një sasie tritoli të vendosur në një motoçikletë, pavarësisht se mori disa plagë të rënda. 42-vjeçari Kulla konsiderohet si një prej “të fortëve” të qytetit dhe ka disa precedentë penalë. Kulla konsiderohet si kreu i një grupi kriminal, që prej vitesh nënshtron tregtarët në Shkodër duke u vendosur “tarifë” të përmuajshme për garantimin e objekteve tregtare. 42-vjeçari madje akuzohet se ka marrë pjesë në torturimin deri në vdekje të një prej tregtarëve, që nuk i është bindur diktatit të tij. Po ashtu Lici mësohet të jetë xhaxhai i Muhamet Licit të arrestuar gati një vit më parë si pjesë e një bande gjobëvënësish në tregun e qytetit të Shkodrës.

15 TË SHOQËRUAR

Menjëherë pas ngjarjes policia ka shoqëruar 15 persona, kryesisht dëshmitarë për të zbardhur ngjarjen, teksa njëri prej tyre ka pohuar se vrasësi i ka thënë “të fala” viktimës, para se ta ekzekutonte. Po kështu grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit dhe subjekteve të tjera pranë vendit të ngjarjes për të identifikuar autorin. Pavarësisht lidhjeve të tij familjare me të sipërpërmendurit Lulzim Kulla dhe Muhamet Licit, pista kryesore ku po heton policia është ajo e hakmarrjes.

MAKINA E DJEGUR

Deri tani nuk ka asnjë dëshmi të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e vrasësit. Uniformat blu kanë gjetur edhe makinën tip Benz që u përdor për vrasjen e 53-vjeçarit. Mjeti u gjet duke u djegur në fshatin Dobraç pak minuta pas ngjarjes. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që vrasja e Licit të ketë lidhje edhe me ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura kohët e fundit në qytetin e Shkodrës.

/TPZ.AL/