AKTUALITET, 10 Gusht 2018, 15:28

“Misioni për fëmijët”, Lorik Cana zbret në fushë në Kosovë

“Misioni për fëmijët”, Lorik Cana zbret në

Larg futbollit të luajtur, por gjithmonë pranë sportit. Duke ndihmuar, që në trojet mbarëshqiptare të hidhen baza të forta. Misioni i kapitenit legjendar të Kombëtares vijon me fëmijët. Fondacioni “Lorik Cana 5”, i cili ka nisur aktivitetin prej muajsh në Shqipëri, duke instaluar fusha për fëmijët e kopshteve dhe me trajnimin e mësuesve të edukimit fizik, tashmë po përhapet edhe në Kosovë.

Fondacioni i ish-kapitenit kuqezi ka hedhur hapat e parë për të nisur punën në Komunën e Prizrenit. Loriku është takuar me kryetarin e qytetit, Mytaher Haskuka, duke gjetur mbështetjen për të filluar sa më shpejt projektet e “Fondacionit LC5”. Prizreni do të jetë qyteti i parë, me punën që, më pas, do të përhapet në të gjithë Kosovën.

Misioni i fondacionit të themeluar nga Lorik Cana është mbështetja dhe promovimi i sportit dhe kulturës, kryesisht te moshat e vogla në kopështe apo para-shkollor. Qëllimi lidhet me edukimin e fëmijëve me kulturën e sportit, inkurajimin e tyre drejt eksperiencave pozitive prej moshës së vogël dhe angazhimin në aktivitete fizike. Një pjesë të rëndësishme e projektit i dedikohet edhe njohjes së kulturës dhe trashëgimnisë kombëtare. Një mision mjaft i veçantë dhe thelbësor për brezat e rinj.