LIFESTYLE, 10 Shtator 2021, 22:12

Debati me Pastor Akilin/ Xheni Karaj: Ka përdorur gjuhë denigruese, nuk është akuzuar për mendimin ndryshe!

Debati me Pastor Akilin/ Xheni Karaj: Ka përdorur gjuhë denigruese,


E ftuar në emisionin “Rrugëtim me Anilën” në “News 24”, Xheni Karaj, shpjegoi se përse "Aleanca LGBT", ka referuar Pastor Akilin dhe dy persona të tjera, te Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Karaj sqaron se ata nuk janë referuar, për shkak se mendojnë ndryshe nga komuniteti LGBT, por sepse kanë përdorur gjuhë denigruese dhe diskriminuese ndaj këtij komuniteti.

"Është krijuar një narrativë e gënjeshtërt për atë që po ndodh. Tre akuzat janë ngritur pranë Komisionerit kundër Diskriminimit, që është institucion i pavarur. Ankesat nuk janë ngritur për shkak se ata mendojnë ndryshe nga komuniteti LGBT. Kam vite që debatoj me Pastorin nëpër studio televizive. Jam përpjekur të tregohem e kujdesshme dhe të respektoj lirinë e besimit të Pastorit. Por, pamë që i njëjti qëndrim nuk u mbajt nga Pastori, zonja Blerta dhe zonja Lekli. Akuza ndaj tyre nuk bëhet për mendimin ndryshe, por mënyra se si e kanë shprehur mendimin ndryshe. 

Pastori është shprehur se LGBT "ka një axhendë agresive, këto nisma janë nisma që vijnë nga një komunitet i sëmurë, egoizmi i tyre është i sëmurë". Kjo gjuhë, duke u bazuar në legjislacion, kalon përtej lirisë së shprehjes. Kjo gjuhë denigron, ofendon, stigmatizon komunitetin LGBT. Ky është përcaktimi që jep ligji për diskriminimin. Pastori ka vijuar në rrjetet sociale, duke krahasuar lidhjet LGBT me zoofilinë. 

Kur dikush është figurë publike, ka ndikimin të orientojë masën, të nxisë masën, të ndryshojë opinonin dhe shumë herë përmes gjuhës që përdor, e ndikojnë masën drejt sjelljeve diskriminuese dhe drejt nxitjes së urrejtjes", tha Karaj.