TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ditën e sotme u mësua se debati i dytë presidencial, mes kandidatëve Donald Trump dhe Joe Biden, do të jetë virtual, për shkak të infektimit të presidentit me koronavirus.
Donald Trump nuk e ka pranuar këtë format të debatit, duke u shprehur se nuk do të marrë pjesë dhe se një debat virtual do të ishte një humbje kohe.
"Dëgjova se komisioni ka ndryshuar stilin e debatit. Kjo është e papranueshme për ne. Unë nuk do të bëj një debat vritual. Nuk do të humbas kohën time në një debat virtual, kjo nuk ka lidhje me debatin. E zhvillon duke u ulur përpara një kompjuteri, debatin? Qesharake. Dhe pastaj ata presin çfarë të duan", është shprehur Trump.
Debati i parë mes dy kandidatëve u zhvillua në tone mjaft agresive dhe Trump e ndërpreu kundështarin e tij, pothuajse në të gjitha rastet që merrte fjalën.
Ndryshe nga debati i kandidatëve për president, debati i djeshëm i kandidatëve për zëvendës president, Kamala Harris dhe Mike Pence, ishte më i "qytetëruar" dhe nuk pati ndërprerje brutale.
Debati i dytë mes Trump dhe Biden, ishte planifikuar fillimisht të mbahej në Miami dhe kandidatët do t'u përgjigjeshin pyetjeve edhe nga audienca. Por, pas infektimit të Trump me koronavirus, komisioni vendosi që vetëm moderatori të jetë në Miami, ndërsa pjesëmarrësit në vende të ndryshme para ekraneve, "për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e të gjithë palëve".
Me sa duket, pas tërheqjes së Trump, debati nuk do të zhvillohet.
Më pak se një muaj përpara zgjedhjeve presidenciale, sondazhet vijojnë të favorizojnë kandidatin Biden me rreth 8-16 pikë mbi presidentin Trump.
/TPZ.al/