TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi ngriti në Kuvend çështjen e deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik të Kosovës. Muçi pyeti cila është arsyeja që ministrja nuk është shpallur non grata nga Shqipëria, ashtu siç veproi Kosova.
“Çfarë pret qeveria shqiptare dhe kryeministri për të reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës dhe mbështetjes që i dha zv/kryeministri serb? Kosova e ka shpallur non grata ministren. Ky që merret me armiqtë e popullit si ka mundësi që nuk mban qëndirm për një deklaratë të ministres serbe? Ndoshta sepse bashkë me mikun e tij, Vuçiç, i ka zënë i njëjti hall: fakti që rinia i përçmon”, tha Muçi.
Përgjigjja i erdhi nga Taulant Balla që i tha se reagimi ka qenë i menjëhershëm në të gjitha nivelet e nevojshme. Shefi i grupit parlamentar të PS nënvizoi se qeveria “nuk tallet me çështjet kombëtare.”
“Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme, por indinjuese dhe të rëndë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat nga Ministria e Jashtme. Këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, të një kadeti të ri në Kuvend. Nuk tallemi me çështjet kombëtare, s’jemi karagjozë si puna jote! Qëndrimin e kemi mbajtur në nivelin e qeverisë nga ministri i Jashtëm, në nivel politik, kam reaguar përpara teje, ti ishe në gjumë kur kam reaguar unë bashkë me ata që ke në kafazin tënd politik. Ky akt është dënuar nga autoritetet politike përfaqësuese. Sa i përket Edi Ramës, ti dhe shokët e tu duhet të lani gojën mirë se është i vetmi kryeministër që nga 1912 që ka ngritur çështjen e Kosovës”, ia ktheu Balla.
Replikat
Muçi: Spastrimi etnik është krim ndaj njerëzimit. Deklarata të tilla janë në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Nëse Rama nuk mban qëndrim për deklaratën e ministres serbe, për çfarë do të mbajë qëndrim? Ky kryeministër si ka mundësi që nuk thotë çerek llafi kur njeriu i Vuçiçit flet për spastrim etnik? Ka lëshuar Taulant Ballën të sulmojë edhe gazetarët dhe nuk harroi të merrej edhe me Dua Lipën. Si ka mundësi që nuk mban një deklaratë për ministren serbe për spastrim etnik të shqiptarëve që jetojnë në Kosovë?
Balla: Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme, por edhe të rëndë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë nga Ministria e Jashtme. Ndërkohë, këto janë çështje që nuk adresohen në karagjozllëk politik, por janë çështje me rëndësi kombëtare që s’mund të talleni me një aspekt procedural. Ne nuk tallemi me çështjet kombëtare, nuk jemi karagjozë si puna jote. Qëndrimin e kemi mbajtur në nivelin e qeverisë, politik. Kam reaguar shumë përpara teje, meqë u bëmë si kalamajtë e kopshtit; ti ishe në gjumë kur kam reaguar unë. Natyrshëm, ky akt i dënueshëm është dënuar edhe nga autoritete politike përfaqësuese që ne komunikojmë, Komisioni Evropian. Shqipëria, kur reagon, reagon bashkë me aleatët e vet. Është turp të vish dhe të bësh politikë.
Sa i përket Edi Ramës, ti dhe shokët tuaj duhet të lani gojën mirë, pasi është i vetmi kryeministër që çështjen e Kosovës e ka ngritur në mes të Beogradit. Edhe në 2014, në Beograd, ka deklaruar që Kosova është shtet i pavarur dhe Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE.