AKTUALITET, 17 Janar 2018, 08:16

Dashuria e ndaluar, i riu nga Divjaka: Nuk e dija që e kisha kushërirë

Dashuria e ndaluar, i riu nga Divjaka: Nuk e dija që e kisha

I riu që tentoi të vriste me kallashnikov kushërirën e tij që dashuronte, ka ngelur pas hekurave. Ngjarja e rëndë ndodhi pak ditë më parë në Babunjë të Divjakës. Gjykata e Lushnjës caktoi masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për Barjam Krasniqin, i cili akuzohet se qëlloi me armë zjarri kushërirën e tij të dytë, 14-vjeçare, të cilët e dashuronte.

“Jam penduar, nuk e dija që ne ishim kushërinj, ndaj e kam ngacmuar”, kështu mësohet të jetë shprehur i riu në sallën e gjyqit. Ndonëse ai pranoi çfarë kishte bërë dhe se ishte penduar për atë çka kishte bërë, tha se nuk ishte në dijeni të faktit se me vajzën kishte lidhje gjaku.

-SI NISI KONFLIKTI

“BalkanWeb” mësoi më herët se dy të rinjtë ishin kushërinj dhe se 22-vjeçari Bajram Krasniqi prej kohësh ngacmonte vajzën. Po ashtu, bëhet e ditur se dy të rinjtë komunikonin me njëri- tjetrin, por nuk dihet nëse vajza e dashuronte djalin. Të njëjtat burime raportojnë se pasi kjo gjë është nuhatur nga prindërit e vajzës, ata kishin vendosur që ta fejonin 14-vjeçaren me dike tjetër. Kur vajza ia ka komunikuar këtë lajm djalit, ky i fundit është ‘tërbuar’ nga inati.

“Ti je vetëm e imja, s’ke për tu fejuar me tjetër njeri”, kështu mësohet t’i ketë thënë 22-vjeçari të miturës. Pas shumë kohësh përndjekje dhe pavarësisht tentativave të vajzës për ta larguar, djali nuk kishte hequr dorë. “Jam e fejuar me dikë tjetër tani, mos mu afro më”, kështu i ishte shprehur një ditë 14-vjeçarja kushëririt të saj. Por Krasniqi në inat e sipër, pas këtij reagimi, ka siguruar një armë zjarri automatik pa leje, ndërsa ka vendosur të marrë ‘hak’ ndaj vajzës që dashuronte.

Siç raportuan edhe burime policore, i riu ka pritur në datën 10 janar sa vajza të mbaronte shkollën dhe në qendër të fshatit i ka zënë pritë dhe më pas ka qëlluar në drejtim të saj 3 herë, por fatmirësisht plumbat nuk e kapën 14-vjeçaren dhe asnjë banorë tjetër përreth. Ndërkohë, pak pas ngjarjes ai u largua nga vendi i krimit, ndërsa armën e fshehu diku në një tokë bujqësore. Pavarësisht tentativave të tij për t’i shpëtuar policisë, Barjam Krasniqi ra në prangat e policisë, ndërsa më pas tregoi edhe se ku e kishte fshehur armën e krimit. Tashmë ndaj tij rëndojnë akuzat për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. /BW