AKTUALITET, 12 Tetor 2020, 11:47

COVID-19 i merr jetën drejtorit të bashkisë së Tiranës, mesazhi prekës i Veliajt: U prehsh në paqe vëlla


Ka ndërruar jetë Feti Fanaj, Drejtori i Punëtorëve të Qytetit në Bashkinë e Tiranës,,pas një betejë gati 1 mujore me koronavirusin.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka ndarë një mesazh prekës kushtuar bashkëpunëtorit të tij, që la pas një vajzë të vogël.

“Fetiu ishte një mik ideal, një baba i jashtëzakonshëm i Mishelit të vogël! Nga ata njerëz punëtorë që i dha kaq shumë Tiranës, kuronte çdo ditë, me po të njëjtin pasion, çdo detaj të shkollave, kopshteve dhe çerdheve tona publike. I kudogjendur, i palodhur! U prehsh në paqe i dashur Feti, vëlla i pazëvendësueshëm për të gjithë ne! Ngushëllime Nidës së re e nënës së tij hallemadhe, që sapo humbi edhe të shoqin. Nuk do t’ju lëmë kurrë vetëm”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.

40-vjeçari ishte dërguar për mjekim më të specializuar në Turqi, por fatkeqësisht nuk mundi t’i mbijetonte. Më herët ai kishte humbur dhe babain e tij nga një sëmundje e rëndë.