AKTUALITET, 15 Prill 2020, 16:16

"Covid-19 është rrezik i përbashkët"/ Mbretëria e Bashkuar nuk do të ndjekë Trump, do të vijojë të financojë OBSH-në

"Covid-19 është rrezik i përbashkët"/

Vendimi i Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për të pezulluar financimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në mes të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, ka sjellë reagime të shumta në mbarë botën.

Bashkimi Europian dhe Australia kanë bërë të ditur se do të vijojnë të financojnë OBSH-në.

Gjithashtu, një prej aleatëve më të afërt të SHBA-ve, Mbretëria e Bashkuar, nuk ka në plan të ndjekë Presidentin Trump, në vendimin e tij të paprecedent dhe do të vijojë të japë kontribut financiar, për organizatën.

"Pozicioni ynë është se Mbretëria e Bashkuar nuk ka në plan të ndalë financimin e OBSH-së, e cila ka një rol të rëndësishëm për të luajtur, në kryesimin e përgjigjes për shëndetin global", u shpreh një zëdhënësi i kryeministrit.

Mbretëria e Bashkuar, jep një kontribut të konsiderueshëm, me  rreth 200 milionë paund në vit, për OBSH-në.

Ndërsa, fondet e SHBA-së për organizatën, variojnë në 400-500 milionë dollarë, sipas Presidentit Trump.

"Koronavirusi është një sfidë globale dhe është thelbësore, që shtetet të punojnë sëbashku për ta luftuar këtë rrezik të përbashkët", shtoi zëdhënësi britanik.

Trump e akuzon OBSH-në, se nuk ka vepruar si duhet për të ndalur përhapjen e Covid-19 dhe se SHBA nuk do të financojë këtë organizatë, deri në përfundim të një shqyrtimi, të veprimeve të organizatës.

Nëse OBSH, do të kishte bërë detyrën, për të çuar mjekë ekspertë në Kinë, për të analizuar në mënyrë objektive situatën në terren dhe të ekspozonte mungesën e transparencës nga ana e Kinës, përhapja e virusit do të ishte kontrolluar që në gjenezë, me fare pak vdekje“, tha Trump, në komunikimin e vendimit të tij.

/TPZ.al/