SPORT, 18 Maj 2021, 13:11

Çifti Suarez, histori dashurie në botën e futbollit…

Çifti Suarez, histori dashurie në botën e futbollit…


Luisi dhe Sofia filluan të takoheshin 18 vite më parë. Në atë kohë, sulmuesi uruguajan punonte si pastrues rruge në Montevideo dhe jetonte në varfëri, në një gjendje të mjeruar dhe në depresion. Me mbështetjen e të dashurës së tij, Luis ia arriti të dilte nga depresioni dhe të bëhej talent premtues futbolli për vendin e tij.

Sidoqoftë, një vit pasi u takuan së pari, dyshja duhej të ndahej. Për shkak të krizës ekonomike, familja e Sofisë u zhvendos në Spanjë. Qysh atëherë, Luis dhe e dashura e tij kishin vetëm kontakte përmes internetit. Mirëpo, sulmuesi i talentuar i premtoi partneres se do të bëhej futbollist profesionist, do të vinte në Europë, do të martohej me të dhe do të kishin fëmijë.

Dashuria ishte aq e fortë, sa edhe premtimi u realizua. Në vitin 2006, Luis u rekrutua nga ekipi holandez i Groningenit dhe me pagën e tij të parë udhëtoi drejt Spanjës, ku rigjeti të dashurën e tij. Në vitin 2009, ata u martuan dhe vitin pasardhës çifti Suarez solli në jetë fëmijën e tyre të parë. Sot, Luis dhe Sofia kanë tre fëmijë dhe mbeten të bashkuar si në ditët e rinisë pasionante në Montevideo…