TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Atletico e Madridit vetëm 90 minuta larg titullit kampion në LaLiga. “Los Colchoneros” morën një fitore të madhe me përmbysje 1-2 ndaj Osasunas, e cila bëri gjithçka për t’i prishur punë skuadrës së drejtuar nga Simeone, por që në fund u kthyen pa pikë nga “Wanda Metropolitano”.
Pas një pjese të parë pa gola, ankthi te vendësit u rrit ndjeshëm, gjithsesi Savic arrit ta devijojë topin drejt rrjetës, por sistemi VAR e anuloi për pozicion jashtë loje.
Kur goli pritej në portën e Osasunës, Budimir realizoi me kokë për miqtë në minutën e 76-të. Edhe në këtë rast, u desh ndërhyrja e sistemit VAR për të vënë drejtësinë, sepse pas ndërhyrjes së portierit Oblak, loja vijoi normalisht, ndonëse topi u duk qartë nga pamjet e përsëritura e kishte kaluar vijën fatale.
Minuta ankthi dhe presioni të lartë psikologjik për “Los Colchoneros”, që falë shpirtit të lartë të garës arritën të përmbysnin rezultatin. Në minutën e 82-të Lodi barazoi, pas asistit të marrë nga Joao Felis, ndërsa dy minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Luiz Suarez realizoi golin që i dha fitoren Atleticos, që tashmë duhet të fitojë edhe me Villarealin në ndeshjen e fundit për të ngritur lart trofenë e kampionit, pa u varur nga ajo që mund të ndodhë në sfidë mes Realit dhe Villarealit.
Bën detyrën Reali i Madridit, duke fituar 0-1 në fushën e Athletic Bilbaos me gol të Nachos në minutën e 68-të. Pavarësisht këtij suksesi, “Los Blancos” mbeten në vendin e dytë, me dy pikë më pak se Atletico.
Zhgënjen sërish Barcelona, që u mposht me përmbysje 1-2 nga Celta Vigo. Golin e Messit, të shënuar në minutën e 28-të, e zhvlerësoi Santi Mino, që barazoi në të 38-tën dhe në të 89-ën i dha fitoren Celtas. Kujtojmë që nga minuta e 83-të, “blaulgranat” luajtën me një lojtar më pak pas ndëshkimit të Lenglet me kartonin e dytë të verdhë.
Nuk përfiton nga humbja e Barçës Sevilla, që pësoi një disfatë të thellë 4-0 në fushën e Villarealit. Bacca sigloi tregolësh, duke marrë topin në shtëpi, ndërsa finalizimi tjetër i “Nëndetëses së Verdhë” mban firmën e Morenos.