TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të mbajtur të hënën, marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi është hequr nga rendi i ditës, duke u shtyrë për një seancë tjetër, por pa një afat të caktuar.
Për këtë, kryeparlamentari Kadri Veseli tha se kjo pikë është shtyrë, me qëllim që të arrihet një konsensus nacional për demarkacionin.
“Kërkuam me mirëkuptim nga Kryesia, që kjo pikë e rendit të ditës të jetë në një moment të caktuar, kur do të kemi dhe një vendimmarrje dhe më serioze. Nga vizita e kryeministrit të Malit të Zi pres një konfirmim, një partneriteti, marrëdhënie të mirë fqinjësore me Republikën e Malit të Zi. Çështja siç është e shënjimit të kufirit nuk do të jetë çështje, e cila do të na ndajë në drejtime tona të përbashkëta siç është integrimi euroatlantik”, është shprehur Veseli para gazetarëve.
Flet deputetja e AAK-së
Për heqjen e kësaj pike nga rendi i ditës, deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadriaj, thotë se është në konform me rregullat parlamentare.
“Janë anëtarët e kryesisë, është kryetari janë nënkryetarët që votojnë për pika të rendit të ditës dhe është votuar që të mos procedohet tutje. Është konform rregullave parlamentare dhe munden që për seanca të tjera ta procedojnë”, është shprehur ai.
Ajo pret që të ketë një epilog për demarkacionin, që çështja të procedohet në Kuvend.
“Duhet të bëhet një epilog, unë mendoj se kryesia duhet dhe do ta shqyrtojë edhe kryesia, do ta trajtojnë në njërën nga mbledhjet dhe më pas do të procedohet me procedura parlamentare për në seancë të Kuvendit’, ka deklaruar deputetja Kadrijaj.
Zeka: Lojë e rrezikshme për Kosovën
Ndërsa, deputeti nga Nisma për Kosovën, Milaim Zeka thotë se nuk e di pse është hequr demarkacioni nga rendi i ditës, por që vlerëson se është lojë e rrezikshme kundër qytetarëve.
“E kam thënë disa herë. Kjo është lojë shumë e rrezikshme kundër qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Zeka.
Demarkacioni kryet brenda marsit
Në anën tjetër, analisti politik Faton Mehmeti thotë se heqja e demarkacioni nga rendi i ditës nga kryesia lidhet me vizitën e kryeministrit malazez dhe vizitën e krerëve te shtetit në SHBA.
“Mendoj se heqja e marrëveshjes për Demarkacion ka të bëjë me vizitën e delegacionit të Kosovës në SHBA, si dhe me anulimin e vizitës së kryeministrit malazez. Besoj se pas arritjes së delegacionit të Kosovës nga SHBA, ka gjasa të mëdha që të kalohet Demarkacioni, pasi SHBA më nuk duron dot”, është shprehur ai.
Sipas Mehmetit, brenda muajit mars kjo çështje do të zgjidhet dhe sipas tij jeta politike e kryeministrit Haradinaj do të marrë fund.
“Me këtë rast edhe iu ka dhënë afatin deri kur të kryhet kjo punë, andaj edhe nuk besoj se ndokush guxon të shkel këtë afat. Në suaza të këtyre edhe është anuluar procedimi i Demarkacionit për në Kuvend. Jam i bindur se brenda marsit kjo çështje do të marrë zgjidhje, sigurisht ashtu siç ka qenë. me këtë rast edhe jeta politike e Ramushit do të marrë fund, pasi do të dalë e vërteta se kauza e tij ishte farse”, ka deklaruar Mehmeti .