SPORT, 11 Gusht 2020, 12:26

Caktohet data dhe orari i Dinamo Tbilis-Tirana, bardheblutë i mban sërish “peng” Ngo


Tirana prej ditësh përgatitet për ndeshjen me Dinamo Tbilis, ndërkohë që UEFA ka caktuar orarin e zhvillimit të kësaj sfide.

Bardheblutë do të luajnë me datë 19 gusht në orën 19:00. Kështu, qëndrimi i tyre në Pogradec do të zgjasë një ditë më shumë se ç’e kishin parashikuar dhe bardheblutë do të kenë pak më shumë kohë për të kolauduar ekipin, i cili ditët e fundit ka pësuar shumë ndryshime, ku janë larguar plot shtatë lojtarë dhe deri tani kanë ardhur katër të tjerë.

Një lojtar, që nuk po stërvitet me bardheblutë, por largimi i tij nuk është zyrtarizuar është Majkëll Ngo.

Anglezo-nigeriani edhe këtë verë nuk është i bindur nëse do të vazhdojë me Tiranën në sezonin e ardhshëm. 27-vjeçari ka oferta nga jashtë vendit dhe menaxheri i tij është në bisedime, çka mban edhe Tiranën në dilemë për disponueshmërinë e tij ndaj Egbo për eliminatoret e Champions league.

Megjithatë, në ditët e ardhshme bardheblutë pritet të zyrtarizojnë tre afrime të tjera, siç e ka treguar vetë presidenti Halili, mes tyre edhe në sulm.

Largimi i Dungës dhe shitja e mundshme e Muçit i detyron bardheblutë të ndërhyjnë për të përforcuar ofensivën e sezonit të ardhshëm, ku sërish do mundohen të përsërisin sezonin e sapombyllur, ku u shpallën kampion dhe siguruan të ardhura të konsiderueshme financiare.

Në medie qarkullojnë lajme se Tirana i ka kërkuar një përgjigje anglezit dhe dita e sotme është e fundit, që Ngo do të ketë mundësi t’i bashkohet Tiranës.

Në rast të kundërt në majën e sulmit bardheblu do të shohim të tjerë emra, ku një talent si Muçi është gati të ndëshkojë Dinamo Tbilisin dhe të krijojë akoma më shumë treg në arenën ndërkombëtare.