AKTUALITET, 23 Nëntor 2018, 20:02

Bushiç bën ligjin, Partizani rrëzohet në Vlorë

Bushiç bën ligjin, Partizani rrëzohet në Vlorë

Flamurtarit i ka mjaftuar një gol i Tomsilav Bushiç, për të marrë pikë të plota ndaj Partizanit. Skuadra e Ilir Dajës triumfoi 1-0 ndaj kryesuesve, të cilët tani ndjenë rrezikun që Skënderbeu t’u marrë vendin e parë. Skuadra kuqezi rikthehet te fitorja pas tre ndeshjes, ndërsa në anën tjetër “të kuqtë” pësojnë humbjen e tretë në 14 javë kampionat.

Fitorja më e madhe e skuadrës vlonjate këtë javë ishte leja e Kales për t’u aktivizuar. Braziliani zbriti që nga minuta e parë, duke bërë një paraqitje fantastike që në ndeshjen e parë në stadiumin me fanellën kuqezi.

Ish-lojtari i Kukësit ishte protagonist në golin minutës së 9-të, duke shërbyer saktë për Bushiç. Një farë çlirimi për brazilianin me festën e tij të frenuar, por dhe një mesazh se mezi e ka pritur rikthimin në fushë. Shpërthen në shkallë te stadiumit, me tifozët që nuk kishin zhgënjyer me prezencën e tyre.

Pjesa e parë kishte mjaft ritëm, edhe pse ishte jo pak e vështirë për të depërtuar në mbrojtjet respektive. Partizani në disavantazhi duhej të reagonte dhe ishte disi më kërkues. Koliçi në dy raste në 45 minuta e para ishte vendimtar, duke e mbajtur portën e tij të paprekur.

Në pjesën e dytë ritmi ra disi, me vendasit që me kalimin e minutave lëshuan terren duke u dhënë mundësinë “demave” që të kishin më shumë guxim për të ndryshuar diçka në rezultat. Minutat e fundit nuk prodhuan ndonjë rast të rrezikshëm, me bregdetarët që tani shkojnë në kuotën e 22 pikëve, po aq sa dhe Teuta e Laçi, duke parë vendin e tretë.

Partizani mbetet në kuotën e 31 pikëve, por tashmë do të presë me interes ndeshjen mes Skënderbeut dhe Tiranës, për të mësuar nëse do e ruajnë vendin e parë dhe pas javës së 14-të.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 14

FLAMURTARI 1-0 PARTIZANI

Shënues: Bushiç 9′