BOTA, 27 Tetor 2025, 14:06

Zelensky: Së shpejti do t’u paraqesim evropianëve një plan armëpushimi! Kërkesa e presidentit ukrainas për Trumpin

Zelensky: Së shpejti do t’u paraqesim evropianëve një plan

Ukraina dhe aleatët e saj kanë rënë dakord të punojnë së bashku gjatë 10 ditëve të ardhshme për të zhvilluar një plan armëpushimi, tha Presidenti Volodymyr Zelensky për Axios pasi Donald Trump propozoi një armëpushim përgjatë vijave aktuale të frontit.

“Disa pika shkurtimisht. Si një plan armëpushimi. Ne vendosëm të punojmë për të gjatë javës ose 10 ditëve të ardhshme “, tha presidenti ukrainas në një intervistë të botuar sot nga Axios.
Volodymyr Zelensky shtoi se Ukraina, e cila synon të bëjë presion mbi Rusinë për bisedime -po i kërkon qeverisë amerikane jo vetëm raketa Tomahawk , por edhe sisteme armësh “të ngjashme” që nuk kërkojnë trajnim afatgjatë.

Lidhur me sanksionet, presidenti ukrainas tha se ato do të kishin një ndikim të rëndësishëm në Rusi, por vendi i tij ende ka nevojë për raketa me rreze të gjatë veprimi për të detyruar Vladimir Putinin të ecë përpara me bisedimet e paqes.

Zelensky i përshkroi dy javët e fundit si “të stuhishme”, pasi takimi i tij i parë me Trump më 17 tetor, gjatë të cilit presidenti amerikan refuzoi të miratonte vendosjen e raketave Tomahawk, u shndërrua në një përmbysje të mprehtë diplomatike. Trump anuloi samitin me Putinin dhe njoftoi sanksionet e para kundër Rusisë të mandatit të tij të dytë.

“Presidenti Trump është i shqetësuar për përshkallëzimin. Por mendoj se nëse nuk ka negociata, përshkallëzimi do të vijë gjithsesi. Nëse Putini nuk ndalet, diçka duhet ta ndalojë atë. Sanksionet janë një armë e tillë, por ne gjithashtu kemi nevojë për raketa me rreze të gjatë veprimi “, tha ai.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë përfshiu diskutime të nxehta rreth kushteve të një marrëveshjeje të mundshme paqeje dhe dëshirës së Ukrainës për Tomahawk.
Zelensky e quajti atë ” konstruktiv “, megjithëse ” të vështirë “.

“Bisedat e mia me Presidentin Trump ishin për të ushtruar presion mbi Rusinë. Unë besoj se ai donte të ushtronte presion mbi ta, por pa mbyllur dritaren për diplomaci”, tha ai.

Udhëheqësi ukrainas zbuloi se e pranoi propozimin e Trump për të ngrirë vijat e frontit si bazë për negociata. “Mendoj se e kuptuam njëri-tjetrin”, tha ai. “Presidenti Trump tha se duhet ta ngrijmë situatën aktuale dhe të flasim”. Megjithatë, pasi Putin refuzoi të tërhiqej dhe pasi Sekretari i Shtetit Marco Rubio dështoi në komunikimin me homologun e tij rus, Trump ndryshoi kurs, anuloi samitin dhe vendosi sanksione.

Trump pritet të takohet këtë javë në Korenë e Jugut me Presidentin kinez Xi Jinping. Zelensky shprehu shpresën se takimi do të çojë në një angazhim nga Pekini për të kufizuar blerjet e naftës ruse si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë tregtare me Shtetet e Bashkuara.

“Mendoj se biseda e Presidentit Trump me Presidentin Xi është shumë e rëndësishme. Hapi më i fortë do të ishte nëse India dhe Kina do të ndalonin së bleri energji nga Rusia, veçanërisht naftën”, vuri në dukje ai. Deri më tani, Pekini ka kritikuar ashpër sanksionet e SHBA-së dhe nuk ka treguar asnjë qëllim për ta shkëputur Moskën nga marrëdhëniet e saj energjetike.