BOTA, 26 Tetor 2025, 13:46

Zëdhënësi i Kremlinit: Është gabim të flasësh për anulimin e takimit Trump-Putin

Zëdhënësi i Kremlinit: Është gabim të flasësh

Kremlini deklaroi se ishte gabim të flitej për anulimin e takimit midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit të SHBA-së Donald Trump, por shtoi se përgatitja për të ishte e nevojshme.

Kështu raportoi televizioni shtetëror ‘Vesti’, në kanalin e tij Telegram, duke iu referuar zëdhënësit të Kremlinit.

“Presidentët nuk mund të takohen thjeshtë për hir të takimit, ata nuk mund të humbasin kohën e tyre dhe janë të hapur për këtë. Kjo është arsyeja pse ata udhëzuan (Ministrin e Jashtëm rus Sergei) Lavrov dhe (Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco) Rubio të përgatitnin këtë proces. Procesi është i ndërlikuar”, i tha zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov, gazetarit të televizionit shtetëror të Kremlinit, Pavel Zarubin.

Peskov komentoi gjithashtu sanksionet e vendosura nga SHBA-të ndaj gjigantëve rusë të naftës Lukoil dhe Rosneft, duke i quajtur ato një “hap armiqësor”, por tha se Rusia kërkon të ndërtojë marrëdhënie miqësore me të gjitha vendet, përfshirë SHBA-në.

“Pavarësisht dallimeve të ndryshme të shprehura nga presidenti i SHBA-së, ne duhet të vazhdojmë të orientohemi drejt interesave tona. Interesat tona janë të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, përfshirë SHBA-në”, i tha Peskov Zarubin.

“Sigurisht , veprimet e ndërmarra këtë javë [të fundit] ishin një hap armiqësor. Ato dëmtuan vërtet perspektivat për rivendosjen e marrëdhënieve tona. Por kjo nuk do të thotë që ne duhet t’i braktisim këto pritje. Ne duhet të bëjmë atë që është e mirë për ne”, tha Peskov.

Zëdhënësi i presidentit rus tha gjithashtu se Rusia do të ndjekë penalisht këdo që gjendet i përfshirë në një sekuestrim të mundshëm të aseteve të ngrira ruse.