BOTA, 17 Maj 2022, 16:03

Vladimir Putin: Disa shtete të BE-së e kanë të pamundur të heqin dorë nga nafta ruse

Vladimir Putin: Disa shtete të BE-së e kanë të pamundur

Duke folur në një mbledhje me menaxherët vendorë të naftës dhe zyrtarët qeveritarë, Putin tha po ashtu më 17 maj se sanksionet perëndimore dhe mundësia e vendosjes së embargos ndaj naftës, kanë rezultuar me ngritjen e çmimeve globale të naftës.

Ai tha se me heqjen dorë nga furnizimet e energjisë ruse, Evropa rrezikon të paguajë çmime më të shtrenjta për energjinë në terma afatgjatë, ndërkaq konkurrenca në këtë industri do të minohej.

Presidenti rus po ashtu tha se sanksionet perëndimore kanë nxitur rritje të inflacionit në mbarë Evropën.

Rusia po përballet me ulje të prodhimit të naftës, që kanë arritur nivelet më të ulëta që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Në uljen e prodhimit kanë ndikuar sanksionet e Perëndimit të cilat po komplikojnë shitjen e naftës ruse në botë.

“Ka ndryshime tektonike në tregun e naftës dhe bërja e biznesit sikurse më parë duket e pamundur”, tha Putin, duke shtuar se ishte shumë e rëndësishme që të krijohej një zinxhir që do të dërgonte produkti nga prodhuesi deri te blerësi.

Komisioni Evropian ka propozuar vendosjen e embargos ndaj naftës ruse dhe produkteve të rafinuara. Por, që një vendim i tillë të miratohet, kërkohet miratimi i të 27 shteteve të bllokut. Hungaria është shteti më i zëshëm kundër një embargoje të tillë. /REL