TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Bashkimi Evropian ka anuluar një pritje diplomatike, e cila ishte planifikuar për t’u mbajtur sot në Tel Aviv. Shkak është bërë pjesëmarrja e ministrit radikal ultranacionalist të Izraelit, Itamar Ben-Gvir. Ky veprim i delegacionit të BE-së në Izrael kundër anëtarit të qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu, mund të shkaktojë një mosmarrëveshje diplomatike midis Izraelit dhe BE-së. Marrëdhëniet tashmë janë tensionuar shkaku i politikave izrealite në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Ben-Gvir, kreu i fraksionit të Fuqisë Hebraike, shërben si ministër i sigurisë kombëtare dhe u caktua ta përfaqësojë qeverinë izraelite në ngjarjen e organizuar nga BE për Ditën e Evropës, më 9 maj. Ministri i Jashtëm, Eli Cohen, tha më 7 maj, gjatë një interviste në radio Kan, se Ben-Gvir ishte caktuar nga sekretari i qeverisë për të marrë pjesë “jo si përfaqësues i partisë Fuqia Hebraike ... por për ta përfaqësuar qeverinë e Izraelit”.
BE-ja tha se vendosi “ta anulojë pritjen diplomatike, pasi ne nuk duam t'i ofrojmë një platformë një personi, pikëpamjet e të cilit kundërshtojnë vlerat të cilat i përfaqëson Bashkimi Evropian”. Pjesa tjetër e ngjarjes publike do të zhvillohet siç ishte planifikuar, pasi që vetëm pritja diplomatike është anuluar.
Ben-Gvir është një ish-aktivist i ekstremit të djathtë, i cili është dënuar për nxitje dhe mbështetje të një grupi terrorist hebrenjsh. Si përfaqësues i qeverisë në ngjarjen e Ditës së Evropës, Ben-Gvir do t'u ishte drejtuar të pranishmëve. “Është një turp që BE-ja, e cila pretendon se përfaqëson vlerat demokratike dhe multikulturalizmin, sillet me përçarje jodiplomatike”, tha Ben-Gvir.
Netanyahu u kthye në detyrë në dhjetor të vitit të kaluar, në krye të një koalicioni që përfshin parti ultra-ortodokse dhe ultranacionaliste fetare, duke përfshirë fraksionin e vogël të Fuqisë Hebraike të Ben-Gvirit. Qeveria ka vendosur zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor si prioritet kryesor. BE, së bashku me shumicën e komunitetit ndërkombëtar, i konsideron vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe pengesa për ndërtimin e një paqeje me palestinezët.