TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, KNFSH ka njoftuar sot se ka dërguar një shkresë lidhur me shqetësimet për projektligjin e ri “Për Barazinë Gjinore”. Konkretisht shkresa e KNFSH i është dërguar presidentit Bajram Begaj, kryeministrit Edi Rama, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.
Këshilli Ndërfetar shkruan se sipas analizës së tyre disa prej dispozitave të këtij projektligji, krahasuar me ligjin ekzistues, shkojnë përtej barazisë gjinore. KNFSH thekson gjithashtu se këto ndryshime rrezikojnë të fusin shoqërinë në një proces relativizimi moral.
Ndër të tjera Këshilli Ndërfetar thekson se është plotësisht në favor të respektit dhe barazisë së çdo individi, por shton se çdo ndërhyrje ligjore duhet të ruajë ekuilibrin midis të drejtave individuale, vlerave shoqërore dhe natyrës biologjike të njeriut.
Po ashtu KNFSH shkruan se ligji nuk duhet të bëhet instrument imponimi ideologjik apo kulturor, veçanërisht në fushën e edukimit të fëmijëve. Në përfundim, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i bën thirrje institucioneve shtetërore të zhvillojnë një proces të gjerë konsultimi publik përpara miratimit të çdo nisme të re ligjore, duke përfshirë të gjitha palët e interesuara.
Reagim zyrtar nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë mbi projektligjin për Barazinë Gjinore
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, në përfaqësim të pesë komuniteteve fetare në vend (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë), i ka drejtuar një shkresë zyrtare Presidentit të Republikës, Kuvendit, Kryeministrit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ku shpreh shqetësimet e tij në lidhje me projektligjin e ri “Për Barazinë Gjinore”.
Në këtë dokument, i cili shoqërohet me raportin analitik të Grupit të Ekspertëve të Këshillit Ndërfetar, theksohet se disa nga ndryshimet e propozuara ndryshojnë ndjeshëm krahasuar me ligjin aktual, duke përfshirë përkufizime të paqarta. Sipas raportit, këto formulime sjellin pasiguri ligjore, rrezik interpretimi të gabuar dhe mund të krijojnë vështirësi në zbatimin praktik të ligjit nga institucionet publike dhe private.
Këshilli Ndërfetar thekson se është plotësisht në favor të respektit dhe barazisë së çdo individi, por thekson se çdo ndërhyrje ligjore duhet të ruajë ekuilibrin midis të drejtave individuale, vlerave shoqërore dhe natyrës biologjike të njeriut. Në shkresë theksohet se ligji nuk duhet të bëhet instrument imponimi ideologjik apo kulturor, veçanërisht në fushën e edukimit të fëmijëve.
Në përfundim, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i bën thirrje institucioneve shtetërore të zhvillojnë një proces të gjerë konsultimi publik përpara miratimit të çdo nisme të re ligjore, duke përfshirë të gjitha palët e interesuara. Komunitetet fetare shprehin gatishmërinë për të kontribuar në një dialog të hapur e konstruktiv, me qëllim mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, forcimin e paqes dhe mirëkuptimit në shoqëri.