BOTA, 23 Tetor 2025, 17:23

U dënua me 4 vite burg për deklaratën e rremë të gruas së tij dhe korrupsion, ish-kryeministrin francez nuk ‘e shpëton’ as Strasburgu

U dënua me 4 vite burg për deklaratën e rremë të gruas

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e shpalli të papranueshme ankesën e ish-kryeministrit francez François Fillon, i cili pretendonte se gjykimi ndaj tij në Francë për rastin e punësimit fiktiv të gruas së tij nuk kishte qenë i drejtë. Ai argumentoi se gjykata franceze që e kishte dënuar nuk kishte qenë as objektive dhe as e paanshme, për shkak të presionit të ushtruar nga prokuroria mbi trupën gjykuese.

Megjithatë, Gjykata e Strasburgut vendosi unanimisht se pretendimet e tij ishin të pabazuara dhe e rrëzoi apelin.

Në qershor të vitit të kaluar, ish-kryeministri francez u dënua përfundimisht me katër vjet burg, prej të cilëve një vit me ekzekutim dhe tre me kusht, për deklarimin e rremë të gruas së tij si asistente parlamentare për disa vite me radhë, sipas vendimit të gjykatës franceze.

Gjykata urdhëroi gjithashtu François Fillon dhe ish-presidentin Nicolas Sarkozy të kthejnë në Asamblenë Kombëtare rreth 800 mijë euro, shumën që korrespondon me pagesat e marra padrejtësisht nga gruaja e tij dhe një bashkëpunëtor i ngushtë, punësimi i të cilit u konsiderua po ashtu fiktiv. Sipas ligjit francez, anëtarëve të parlamentit u ndalohet të punësojnë të afërm të ngushtë në zyrat e tyre politike.