BOTA, 10 Prill 2025, 10:46

Trump “ngriu” tarifat për 90 ditë, Von der Leyen: Hap i rëndësishëm stabilizimi! Jemi për tregti me dobi reciproke pa fërkime

Trump “ngriu” tarifat për 90 ditë, Von der Leyen: Hap i

Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të “ngrirë” tarifat hakmarrëse që ai kishte vendosur ndaj shumicës së partnerëve tregtarë amerikanë është një hap i rëndësishëm drejt stabilizimit të ekonomisë globale, tha sot presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

“Kushtet e qarta dhe të parashikueshme janë thelbësore për funksionimin e zinxhirëve të tregtisë dhe shpërndarjes,” komentoi von der Leyen në një postim në X, duke nënvizuar se BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj negociatave konstruktive me SHBA- në me synimin për të arritur “tregti reciproke të dobishme dhe pa fërkime”.

Siç shpjegoi kryetarja i Komisionit, tarifat janë taksa që dëmtojnë bizneset dhe konsumatorët. “Kjo është arsyeja pse unë jam fuqimisht në favor të një marrëveshjeje me tarifa zero midis BE-së dhe SHBA-së”, theksoi ajo.

“Në të njëjtën kohë, Evropa vazhdon të fokusohet në diversifikimin e partneriteteve të saj tregtare, duke tregtuar me vendet që përfaqësojnë 87% të tregtisë globale dhe që ndajnë angazhimin tonë për një shkëmbim të lirë dhe të hapur të produkteve, shërbimeve dhe ideve,” vazhdoi von der Leyen.

Sipas saj, Evropa po rrit gjithashtu përpjekjet për të hequr pengesat ndaj tregut të vetëm: “Kjo krizë ka bërë të qartë një gjë: në kohë të pasigurta, tregu i vetëm është spiranca jonë e stabilitetit dhe elasticitetit”.

Kujtojmë se javën e kaluar Trump njoftoi vendosjen e tarifave shtesë prej 20% për importet e produkteve nga BE. Në një kthesë dramatike të ngjarjeve, presidenti amerikan tha dje se do të pezullojë zbatimin e tarifave shtesë “hakmarrëse” ndaj partnerëve tregtarë amerikanë, me përjashtim të Kinës, për 90 ditë.

Megjithatë, njoftimi i Trump nuk adreson tarifat që administrata e tij ka vendosur tashmë për importet e makinave, aluminit dhe çelikut. Vendet anëtare të BE-së miratuan dje kundërmasat e para ndaj këtyre tarifave, të cilat do të hyjnë në fuqi javën e ardhshme.