BOTA, 13 Shtator 2025, 22:33

Trump: Gati të vendos sanksione ndaj Rusisë, por vetëm nëse vendet e NATO-s ndalojnë blerjen e naftës ruse

Trump: Gati të vendos sanksione ndaj Rusisë, por vetëm nëse

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se është gati të vendosë sanksione më të forta ndaj Rusisë, por vetëm nëse vendet anëtare të NATO-s plotësojnë disa kushte, përfshirë ndalimin e blerjeve të naftës ruse.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi se ishte “gati për të vendosur sanksione të mëdha ndaj Rusisë” pasi vendet e NATO-s të kenë “rënë dakord dhe të kenë nisur të bëjnë të njëjtën gjë”.

Trump ka kërcënuar shpesh me masa më të ashpra kundër Moskës, por deri më sot nuk ka ndërmarrë veprime konkrete edhe kur Kremlini ka injoruar afatet dhe paralajmërimet për sanksione.

Ai e përshkroi vazhdimin e blerjeve të naftës ruse nga disa vende të NATO-s si "tronditëse", dhe propozoi që aleanca të vendosë tarifa prej 50% deri në 100% ndaj Kinës, duke pretenduar se kjo do të dobësonte ndikimin e saj “shumë të fortë” mbi Rusinë.

Në atë që e quajti një letër drejtuar vendeve të NATO-s, Trump shkroi:

“Jam gati të veproj kur të jeni edhe ju. Vetëm më thoni kur.”
Ai shtoi:

“Blerja e naftës ruse nga disa është tronditëse! Kjo e dobëson shumë pozicionin tuaj negociues përballë Rusisë.”
Trump gjithashtu tha se ndalimi i blerjes së energjisë nga Rusia, i kombinuar me tarifa të larta ndaj Kinës (që do të hiqen pas përfundimit të luftës), do të ishte një ndihmë e madhe për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.

Vendet evropiane ende blejnë energji nga Rusia, pavarësisht rënies së varësisë
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, varësia e Evropës nga energjia ruse ka rënë ndjeshëm. Në atë vit, BE merrte rreth 45% të gazit nga Rusia. Kjo pritet të bjerë në rreth 13% këtë vit, megjithatë Trump mendon se kjo nuk mjafton.

Mes tensioneve të rritura me Rusinë, deklarata e Trump erdhi pasi më shumë se 12 drone ruse hynë në hapësirën ajrore të Polonisë të mërkurën. Varshava e quajti incidentin “të qëllimshëm”, ndërsa Moska minimizoi ngjarjen dhe tha se “nuk ka plane të godasë” objektiva në Poloni.

Ndërkohë, Danimarka, Franca dhe Gjermania janë bashkuar në një mision të ri të NATO-s për të forcuar kufirin lindor të Aleancës, duke zhvendosur trupa dhe pajisje ushtarake në lindje.

Zelensky: Duhet ndalur çdo lloj blerjeje nga Rusia
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, javën e kaluar në një intervistë për ABC News, u bëri thirrje vendeve evropiane të ndalojnë plotësisht blerjet e naftës dhe gazit rus.

“Duhet të ndalim çdo lloj energjie nga Rusia, dhe gjithashtu çdo marrëveshje me ta. Nuk mund të kemi marrëveshje nëse duam t’i ndalojmë ata,” tha ai.
Që nga viti 2022, vendet evropiane kanë shpenzuar rreth 210 miliardë euro për naftë dhe gaz rus, shumë nga këto para kanë shkuar për të financuar luftën në Ukrainë, sipas qendrës “Centre for Research on Energy and Clean Air”.

BE është zotuar ta ndalojë plotësisht blerjen e energjisë ruse deri në vitin 2028, por SHBA kërkon që ky afat të përshpejtohet, pjesërisht për të ofruar furnizim amerikan si alternativë.

NATO përfshin vende që ende mbështesin energjinë ruse – si Turqia
Mesazhi i Trump nuk iu drejtua vetëm BE-së, por të gjithë vendeve të NATO-s, duke përfshirë edhe Turqinë, e cila mbetet një ndër blerësit kryesorë të naftës ruse dhe ka mbajtur marrëdhënie më të ngushta me Moskën se çdo vend tjetër i Aleancës.

Bindja e Ankarasë për të ndërprerë furnizimet ruse pritet të jetë një sfidë shumë më e vështirë.

Në fillim të shtatorit, pas një vale të re bombardimesh nga Rusia në Ukrainë, Trump përsëriti paralajmërimin për "fazen e dytë" të ndëshkimeve ndaj Moskës, duke thënë:

“Po, jam gati,” por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Më parë, SHBA vendosi tarifa prej 50% ndaj mallrave nga India, ku përfshihej edhe një ndëshkim prej 25% për transaksione me Rusinë, që janë burim i rëndësishëm financimi për luftën.