BOTA, 13 Shtator 2025, 22:10

Netanyahu: Eliminimi i liderëve të Hamasit do të përfundonte luftën në Gaza

Netanyahu: Eliminimi i liderëve të Hamasit do të përfundonte

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, deklaroi sot se eliminimi i liderëve të Hamasit do të përbënte fundin e luftës në Gaza, pas sulmeve ajrore të fundit në Doha.

“Udhëheqësit terroristë të Hamasit që jetojnë në Katar nuk shqetësohen për fatin e popullit të Gazës. Ata kanë penguar përpjekjet për armëpushim për të zgjatur pafundësisht luftën,” shkroi Netanyahu në një postim në platformën X.

“Eliminimi i tyre do të hiqte pengesën kryesore për lirimin e të gjithë pengjeve tona dhe do t’i jepte fund luftës.”

Nga ana tjetër, familjet e pengjeve e kanë akuzuar Netanyahun si “pengesë” për përfundimin e konfliktit në Gaza.

“Operacioni që u zhvillua në Katar e tregoi përtej çdo dyshimi se ekziston një pengesë për kthimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës: Kryeministri Netanyahu. Sa herë që një marrëveshje është afër arritjes, Netanyahu e saboton,” thuhet në një deklaratë të lëshuar sot nga Forumi i Familjeve të Pengjeve.