TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri i ri i Francës, Sébastien Lecornu, njoftoi të shtunën (13 shtator) vendimin për të tërhequr propozimin për heqjen e dy festave zyrtare, një masë që ishte parashikuar si pjesë e buxhetit për vitin 2026.
Ky vendim përbën një ndryshim të qartë nga politika e paraardhësit të tij dhe synon gjetjen e burimeve alternative të financimit përmes dialogut me partnerët socialë.
Lecornu, i cili mori detyrën vetëm të martën që lamë pas, ka nisur menjëherë bisedimet me partitë politike dhe partnerët socialë për të kapërcyer ngërçin buxhetor.
Në një intervistë për media, ai deklaroi: “Kam vendosur të tërheq propozimin për heqjen e dy festave zyrtare. Do të fokusohem në dialogun me partnerët socialë për të gjetur zgjidhje të tjera për financimin.”
Ai theksoi gjithashtu se nuk ka ndërmend të rihapë çështjen e reformës së pensioneve, duke deklaruar qartë: “Nuk do të ketë një kongres të ri për pensionet.”
Në të njëjtën kohë, kryeministri i ri nënvizoi nevojën për një “diskutim parlamentar modern dhe të sinqertë” me socialistët, ekologjistët dhe Partinë Komuniste, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të një të majte të bashkuar, larg retorikës përçarëse të “Franca e Papërkulur” të Jean-Luc Mélenchon, të cilën ai e akuzoi për promovim kaosi.
Gjithashtu, Lecornu bëri të ditur se javën e ardhshme do të nisin “konsultime të mëdha” për një “akt të rëndësishëm të decentralizimit dhe lirisë së qeverisjes vendore”.
“Duhet të përcaktojmë se çfarë presim nga shteti, sidomos përballë nevojave gjithnjë e më të mëdha në fushën e interesit kombëtar,” tha ai, duke shtuar se këto ndryshime duhej të ishin ndërmarrë që pas krizës së Jelekëve të Verdhë.