BOTA, 1 Korrik 2023, 10:32

Sot funerali i 17-vjeçarit të vrarë nga policia, vijojnë protestat në Francë

Sot funerali i 17-vjeçarit të vrarë nga policia, vijojnë

Një valë protestash ka shpërthyer në të gjitha qytetet e Francës dhe jo vetëm pas vrasjes gjakftohtë të 17-vjeçarit Nael nga një polic. Kujtimet e kryengritjes së vitit 2005 janë rizgjuar në Francë pas vrasjes gjakftohtë të 17-vjeçarit franko-algjerian Nael nga një oficer policie në Nanterre.

Mijëra protestues u përleshën për natën e katërt me policinë në rrugët e vendit, duke kërkuar drejtësi për Naelin dhe ndalimin e vrasjeve nga policët. Një tjetër 19-vjeçar humbi jetën pasi ra nga një ndërtesë ditën e djeshme, ndërsa hetimet për vdekjen e tij po vazhdojnë.

Sipas Liberation, të paktën 994 persona u arrestuan në të gjithë Francën mbrëmjen e së premtes, ndërsa më herët ministri i Brendshëm Gérald Darmanin njoftoi për 471 të arrestuar.

Ndërtesa dhe makina janë përfshirë nga flakët.

Ai tha se “dhuna ishte shumë më pak intensive” të premten, me Marsejën, Lionin dhe Grenoblen “pikat e nxehta” ndërsa protestat u përshkallëzuan edhe më shumë për vdekjen e 17-vjeçarit Nael.

Në Marsejë, persona të panjohur kanë hyrë në një dyqan armësh, kanë marrë disa pushkë gjuetie, por pa municion, sipas një njoftimi të policisë.

Qeveria franceze ka vendosur në gatishmëri 45,000 policë (5,000 në Paris), forca speciale dhe automjete të blinduara, me Darmanen që deklaroi se “përgjigja e shtetit duhet të jetë vendimtare”, duke i shtuar më tej “benzinë ​​zjarrit”.

Në fakt ai ka shkruar në Twitter: “Turp për ata që nuk bënë thirrje për qetësi”.

I pyetur nëse qeveria franceze ka ndërmend të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, ministri i Brendshëm tha dje për TF1 neës: “Nuk përjashtojmë asgjë, do të shohim se çfarë do të zgjedhë presidenti i Republikës”.

Të njëjtin qëndrim si ministri i Brendshëm ka mbajtur edhe Emmanuel Macron, i cili deklaroi se “disa po përpiqen të përdorin vdekjen e një fëmije që ka futur në zi gjithë Francën”.

Ditën e djeshme, ai u bëri thirrje prindërve që të mbajnë fëmijët në shtëpi, duke shtuar se 1/3 e të arrestuarve janë “të rinj ose shumë të vegjël”.

Këtë të shtunë do të bëhet varrimi i 17-vjeçarit Nael M, ku familja e të riut fatkeq I kërkoi mediave dhe popullit që të mos marrin pjesë në ceremoninë që do të zhvillohet në Nanterre.

Naeli jetonte me nënën e tij në Nanterre. Ai nuk e kishte takuar babanë e tij. Ai ishte regjistruar në Kolegjin Suresne për t’u bërë elektricist, por sipas mediave ai nuk i ndiqte shpesh mësimet.

Jeta e tij ishte më se e vështirë pasi për shkak të origjinës së tij (franko-algjeriane) në dy vite i ishte nënshtruar pesë kontrolleve policore, ndërsa shtatorin e ardhshëm iu desh të paraqitej në një gjykatë për të mitur me akuzën e “mosbashkëpunimit me autoritetet.”

Ai u akuzua gjithashtu për shpërdorim të lejes së përkohshme të drejtimit pasi në Francë mund të vozitësh i pashoqëruar nga mosha 18 vjeçare. Të martën e kaluar, Naeli bëri shëtitjen e fundit pasi u qëllua me gjakftohtësi nga policia teksa ndodhej me dy persona të tjerë në një makinë.

Prokurori i Nanterres bëri të ditur se në bazë të provave të hetimit që ka zhvilluar, përdorimi i armës nga punonjësi i policisë “nuk justifikohet” dhe se ndaj tij do të rëndon akuza e vrasjes nga pakujdesia.

Ai bëri të ditur gjithashtu se nga hetimet e kryera nuk rezultoi se17-vjeçari ishte nën efektin e alkoolit apo drogës dhe as pasagjeri i tij, ndërsa është në kërkim një person i tretë, i cili ndodhej në makinë dhe u arratis. .

Nëna e Naelit ka folur për ditën e fundit të jetës së tij, duke kujtuar se ai i kishte dhënë një puthje para se të largohej dhe i tha: “Të dua mami”.

Duke iu referuar policit 38-vjeçar të akuzuar për vrasjen e djalit të saj, nëna e Naelit tha: “Nuk kishte nevojë të vriste djalin tim, kishte mënyra të tjera për t’u përballur me të”.