TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Donald Trump nënshkroi tarifat e SHBA-së ndaj mbarë globit, duke njoftuar se “sot është dita e çlirimit, dita kur e bëjmë Amerikën të pasur sërish”.
Tarifa bazë për të gjitha vendet do të jetë 10%, ku përfshihet edhe Shqipëria.
Bashkimi Europian do të ketë tarifa 20%, ndërsa Kina në masën 34%.
Presidenti amerikan u shfaq me një tabelë në dorë, që krahasonte taksat e vendosura nga vendet e tjera për SHBA kundrejt taksave të Uashingtonit.
Ndër të tjera ai veçon Kinën dhe Bashkimin Evropian. “Ata na shqyejnë. Është shumë e trishtueshme të shohësh. Është kaq patetike”, tha ai.
Trump deklaroi se kombet e tjera e kanë trajtuar SHBA-në “keq”, duke vendosur tarifa disproporcionale për importet amerikane.
Nga ana tjetër, SHBA do t’i ngarkojë vendet e tjera “përafërsisht gjysmën” e asaj që po i ngarkojnë SHBA-së.
“Pra, tarifat nuk do të jenë plotësisht reciproke. Unë mund ta kisha bërë këtë, po, por do të ishte e vështirë për shumë vende,” thotë Trump.
Presidenti amerikan thotë se kompanitë që ndërtojnë produktet e tyre në SHBA nuk do te tarifohen.
“Nuk ka tarifë nëse e ndërton produktin tënd këtu në Amerikë”, deklaroi Trump.
Presidenti thotë se “së shpejti” ai do të marrë telefonata nga mbretër, mbretëresha dhe ambasadorë që kërkojnë përjashtime nga tarifat.
Mesazhi i tij për ta është: “Ndërprisni tarifat tuaja, hiqni barrierat tuaja, mos manipuloni monedhat tuaja… dhe filloni të blini dhjetëra miliarda dollarë mallra amerikane”.
Para se të nënshkruante urdhrin, Trump foli para gazetarëve të pranishëm në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë.
“Sot kemi disa lajme shumë, shumë të mira. Shumë gjëra të mira po ndodhin për vendin tonë”, tha ai.
“Reciproke. Kjo do të thotë që nëse ata e bëjnë ndaj nesh, ne e bëjmë ndaj tyre. Shumë e thjeshtë. Nuk mund të bëhet më e thjeshtë se kaq”, pohoi 78-vjeçari.
Trump tha se SHBA-ja është “plaçkitur, grabitur, dhunuar dhe shfrytëzuar nga kombe të afërta dhe të largëta, si miq ashtu edhe armiq”.