BOTA, 10 Maj 2023, 17:06

Skandali/ Akuza për mashtrim, pastrim parash dhe vjedhje fondesh, arrestohet kongresmeni amerikan

Skandali/ Akuza për mashtrim, pastrim parash dhe vjedhje fondesh,

Kongresmeni republikan George Santos ka rënë në pranga, pasi akuzohet për një seri veprash penale. Bëhet fjalë për mashtrim, pastrim parash dhe vjedhje të fondeve publike, në një padi federale me 13 pika.

Mediat e huaja raportojnë se përfaqësuesi i Nju Jorkut iu dorëzua autoriteteve të mërkurën. 34-vjeçari, është përfshirë nga skandali që kur mori detyrën në janar dhe shumica e biografisë së tij u zbulua se ishte e fabrikuar.

Kongresmeni i mandatit të parë nuk ka komentuar ende mbi akuzat. Aktakuza prej 20 faqesh pretendon se republikani ka marrë pjesë në tre skema mashtrimi. Së pari, sipas prokurorëve federalë, ai mashtroi ata që i financuan fushatën e tij të Dhomës së Përfaqësuesve, duke përdorur fondet për shpenzime personale si veshje luksoze dhe pagesa me kartë krediti.

Ndërkohë, Santos dyshohet se ka marrë pjesë në një skemë mashtrimi, duke përfituar ndihmën e qeverisë për Covid-19, pavarësisht se paguhej 120,000 dollarë përmes punësimit të tij në një firmë investimi me bazë në Florida. Së fundi, prokurorët pretendojnë se republikani ka mashtruar Dhomën e Përfaqësuesve në lidhje me financat e tij.