BOTA, 11 Korrik 2025, 19:08

Skadon më 22 Korrik marrëveshja Rusi-OKB për eksportin e ushqimeve dhe plehrave

Skadon më 22 Korrik marrëveshja Rusi-OKB për eksportin e

Marrëveshja midis Rusisë dhe Kombeve të Bashkuara, e cila synonte të lehtësonte eksportin e ushqimeve dhe plehrave kimike ruse në tregjet ndërkombëtare, do të skadojë më 22 korrik 2025 dhe nuk pritet të rinovohet, njoftoi të premten OKB.

“Marrëveshja për Memorandumin e Mirëkuptimit midis Kombeve të Bashkuara dhe Federatës Ruse do të përfundojë. Takimi i fundit u zhvillua sot në Gjenevë,” bëri të ditur në një deklaratë Agjencia e Tregtisë dhe Zhvillimit e OKB-së (UNCTAD), e cila mbikëqyri marrëveshjen në emër të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.

Marrëveshja u nënshkrua më 22 korrik 2022 dhe kishte një afat trevjeçar. Ajo kishte për qëllim të mundësonte që eksportet ruse të ushqimeve dhe plehrave të vazhdonin pa pengesa, për të ruajtur çmimet globale të ulëta, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj Moskës pas pushtimit të Ukrainës.

Edhe pse produktet bujqësore dhe plehrat nuk ishin subjekt i sanksioneve, eksportet ruse hasën në vështirësi për shkak të pasigurive ligjore, frikës nga shkelja aksidentale e sanksioneve dhe rritjes së kostove të sigurimit. Për të kapërcyer këto barriera, Rusia dhe OKB-ja hartuan një kornizë të veçantë për transaksionet ekonomike, të përshtatur me sanksionet e SHBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Megjithatë, Moska është ankuar vazhdimisht se marrëveshja nuk është zbatuar në mënyrë efektive dhe e ka cilësuar atë si një “shkronjë të vdekur”.
Po më 22 korrik 2022, Rusia dhe Ukraina kishin nënshkruar gjithashtu një marrëveshje të ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia për eksportin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.

Kjo marrëveshje nuk u zgjat nga pala ruse një vit më vonë, me arsyetimin se ekzistonin ende pengesa për eksportet bujqësore ruse.

Përfundimi i kësaj marrëveshjeje rrezikon të shtojë trysninë mbi tregjet globale të ushqimit dhe të godasë veçanërisht vendet në zhvillim që varen nga importet e plehrave dhe produkteve bujqësore për sigurinë e tyre ushqimore.