BOTA, 26 Gusht 2022, 21:11

Situata në Zaporizhzhia/ BE thirrje Rusisë: Lejo riparimin e centralit bërthamor të Ukrainës

Situata në Zaporizhzhia/ BE thirrje Rusisë: Lejo riparimin e centralit

Shefi i politikës së jashtme të BE-së i ka kërkuar Rusisë që të lejojë riparimin e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainën juglindore.

“Situata rreth termocentralit bërthamor Zaporizhzhia mbetet jashtëzakonisht shqetësuese” tha Josep Borrell në Twitter.

Ai i kërkoi Rusisë të sigurojë riparimin e papenguar të linjave të dëmtuara të energjisë dhe rilidhjen e plotë me rrjetin elektrik të Ukrainës dhe të lejojë ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në objekt.

Të enjten, termocentrali Zaporizhzhia u shkëput përkohësisht nga rrjeti elektrik i Ukrainës pasi linja e fundit e mbetur e energjisë mori flakë për shkak të granatimeve.\

Energjia elektrike nga objekti rifilloi të premten, sipas kompanisë shtetërore të energjisë bërthamore të Ukrainës Energoatom.

Forcat ruse pushtuan objektin me rëndësi kritike pak pasi filloi lufta në Ukrainë më 24 shkurt. Që atëherë, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë BE-në, OKB-në dhe SHBA-në, e kanë paralajmëruar vazhdimisht Moskën që të mos e përdorë centralin si mburojë në sulmet e forcave të saj ndaj Ukrainës dhe të ndalojë shkeljen e rregullave të sigurisë atomike.

Fabrika e Zaporizhzhia është termocentrali më i madh bërthamor në Evropë, që prodhon rreth 20% të energjisë elektrike të Ukrainës.