TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një bombë ka shpërthyer pak pas orës 21:30 ora lokale, jashtë ndërtesës së zyrave të Hellenic Train në bulevardin Syggrou të Athinës. Sipas mediave greke, shpërthimit i ka paraprirë një telefonatë paralajmërimi, në orën 20:53, nga një person i panjohur tek portali Zougla dhe Gazeta e Redaktorëve, i cili ka dhënë një afat kohor prej 35-40 minutash. Ai vetë ka paralajmëruar se nuk bëhej fjalë për farsë.
Raportohet se forca e shpërthimit ka qenë aq e madhe, sa është dëgjuar deri në sheshin Sintagma, ku po zhvillohej një tubim proteste pensionistësh. Informacionet paraprake bëjnë me dije se në një motoçikletë pa targa është gjetur një çantë shpine e dyshimtë e mbyllur me dryn, brenda së cilës ishte vendosur bomba, që ka shpërthyer pikërisht në momentin që ka paralajmëruar i panjohuri.
Autoritet në vendngjarjes kanë grumbulluar mbetjet nga shpërthimi në mënyrë që të mund të ekzaminohen në laboratorët e mjekësisë ligjore. Sipas policisë nuk ka të lënduar, ndërsa nuk dihet se çfarë dëmesh ka shkaktuar shpërthimi pasi zona është bllokuar deri në përfundimin e hetimeve.
Hellenic Train është kompania e trenave në Greqi, e cila ndodhet në qëndër të hetimeve për aksidentin tragjik në Tempi para dy vitesh, ku humbën jetën 57 persona, shumica të rinj. Ngjarja ndodhet ende në qëndër të vëmendjes së opinionit publik të Greqisë, dhe gjithë partitë opozitare vazhdojnë të kritikojnë përsëri qeverinë e kryeministrit Mitsotakis për mbulimin e fajtorëve të aksidentit.
Shpërthimi vjen vetëm disa orë pas një konference për mediat nga komisioni i prindërve të viktimave të kësaj ngjarjeje, në të cilën specialistë nga fusha të ndryshme që punojnë vullnetarisht për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, kanë sjellë argumenta me të cilat kundërshtojnë një raport të një komisioni të ngritur nga qeveria për shkaqet e shpërthimit pas përplasjes së dy trenave.