BOTA, 11 Prill 2025, 14:46

Pentagoni shkurton 5.1 miliardë dollarë shpenzime nga buxheti, ndalohen financimet për dy universitete elitare

Pentagoni shkurton 5.1 miliardë dollarë shpenzime nga buxheti,

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes do të shkurtojë shpenzime të cilësuara si “të panevojshme” në vlerë prej 5.1 miliardë dollarësh (rreth 4.5 miliardë euro), përfshirë edhe grante kërkimore për universitetet Cornell dhe Northwestern.

Lajmin e bëri të ditur Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, përmes një videoje të postuar në rrjetin social X (ish-Twitter).

“Që nga ky moment kemi nënshkruar një memorandum që urdhëron anulimin e kontratave në vlerë prej 5.1 miliardë dollarësh të Departamentit të Mbrojtjes,” deklaroi Hegseth.

Kjo lëvizje është pjesë e një programi më të gjerë për uljen drastike të shpenzimeve federale, i cili është iniciuar nga Presidenti Donald Trump dhe drejtohet nga Elon Musk në kuadër të Komisionit për Efiçencën e Qeverisë (DOGE).

Ndër shpenzimet që do të ndërpriten përfshihen grante prej 500 milionë dollarësh për universitetet Northwestern dhe Cornell, të cilat janë akuzuar nga autoritetet për tolerim të antisemitizmit dhe mbështetje ndaj programeve të Diversitetit, Barazisë dhe Përfshirjes (DEI), që sipas Pentagonit “nxisin ndasi shoqërore”.

Universiteti Cornell reagoi menjëherë pas njoftimit, duke bërë të ditur se ka marrë 75 urdhra për pezullimin e projekteve kërkimore që prekin fusha kritike si mbrojtja kombëtare, siguria kibernetike dhe shëndeti publik. Një prej granteve të pezulluara lidhet konkretisht me hulumtimet për luftën kundër kancerit, sipas deklaratës së universitetit.

Sipas Hegseth, krahas universiteteve, do të ndërpriten edhe njëmbëdhjetë kontrata që lidhen me çështje klimatike, menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe aktivitete të tjera “jo thelbësore”, përfshirë projektet që mbështesin DEI-në.

“Na duhen këto fonde për të përmirësuar shërbimet mjekësore për trupat tona dhe familjet e tyre, jo për të paguar konsulentë që marrin 500 dollarë për orë,” theksoi ai. Buxheti aktual i Departamentit të Mbrojtjes për vitin 2025 kap vlerën e rreth 850 miliardë dollarëve. Që në muajin shkurt, Hegseth kishte nënshkruar një memorandum, ku urdhërohej hartimi i një plani për të reduktuar buxhetin e mbrojtjes me 8% çdo vit.