BOTA, 30 Prill 2025, 21:51

SHBA i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë: Izraeli nuk është i detyruar të bashkëpunojë me OKB-në

SHBA i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të

SHBA-ja i tha sot Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se Izraeli duhet të sigurojë ndihmë për Gazën, por vendi nuk është i detyruar të bashkëpunojë me agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë, sipas AP.

Gjykata e Lartë e Kombeve të Bashkuara po zhvillon një javë seancash dëgjimore mbi atë që duhet të bëjë Izraeli – për të ofruar ndihmë humanitare të nevojshme për palestinezët në Gazë dhe Bregun Perëndimor të pushtuar – pas një kërkese nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, vitin e kaluar.

SHBA-ja tha se Izraeli kishte shqetësime legjitime në lidhje me Agjencinë e Ndihmës dhe Punëve të OKB-së, e njohur edhe si UNRWA, ofruesi më i madh i ndihmës në Rripin e Gazës së rrethuar.

“Nuk ka asnjë kërkesë ligjore që një fuqi pushtuese të lejojë një shtet të tretë specifik ose një organizatë ndërkombëtare të kryejë aktivitete në territorin e pushtuar – që do të kompromentonte interesat e saj të sigurisë”, tha Josh Simmons, një këshilltar ligjor nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), për gjykatën me seli në Hagë.

Simmons sugjeroi që organizata të tjera mund të përmbushnin misionin e UNRWA-s.

Në janar, Izraeli e ndaloi agjencinë të vepronte në territorin e saj. Izraeli pretendon se 19 nga rreth 13,000 punonjës të UNRWA-s në Gazë – morën pjesë në sulmin e Hamasit në Izraelin jugor, që shkaktoi vdekjen e rreth 1 200 personave dhe shkaktoi luftën në Gazë.

UNRWA tha se kishte pushuar nga puna nëntë punonjës – pasi një hetim i brendshëm i OKB-së arriti në përfundimin se ata mund të kishin qenë të përfshirë – megjithëse provat nuk u vërtetuan.

Izraeli më vonë pretendoi se rreth 100 palestinezë të tjerë në Gazë – ishin anëtarë të Hamasit, por kurrë nuk i dhanë asnjë provë Kombeve të Bashkuara.

Seancat dëgjimore janë duke u zhvilluar ndërsa sistemi i ndihmës humanitare në Gazë po i afrohet kolapsit dhe përpjekjet për armëpushim mbeten të bllokuara.

Izraeli ka bllokuar hyrjen e ushqimit, karburantit, ilaçeve dhe furnizimeve të tjera humanitare që nga 2 marsi.

Forcat izraelite rifilluan bombardimet më 18 mars, duke prishuar armëpushimin dhe pushtoi pjesë të mëdha të territorit, duke thënë se synon të nxisë Hamasin të lirojë më shumë pengje.

Programi Botëror i Ushqimit – agjencia më e madhe humanitare në botë – tha javën e kaluar se rezervat e saj ushqimore në Rripin e Gazës kishin mbaruar, duke i dhënë fund një burimi kryesor të jetesës për qindra mijëra palestinezë.