BOTA, 30 Prill 2025, 20:59

Estonia merr gjashtë sisteme raketash HIMARS nga SHBA-ja

Estonia merr gjashtë sisteme raketash HIMARS nga SHBA-ja

Estonia ka marrë gjashtë raketahedhës të shumëfishtë amerikanë HIMARS – në një nga marrëveshjet më të mëdha të armëve në historinë e saj, duke mbyllur një boshllëk kyç në pajisjet ushtarake, tha sot Qendra Estoneze për Investime në Mbrojtje.

“Sistemet e raketave të lëvizshme, me një rreze veprimi prej 300 kilometrash, iu dorëzuan ushtrisë estoneze në bazën ajrore ushtarake Amari”, tha qendra.

“Ato janë këtu!”, shkroi ministri i Jashtëm, Margus Tsahkna në X.

“Kjo forcon jo vetëm mbrojtjen e Estonisë, por rrit edhe sigurinë e të gjithë Aleancës së NATO-s”, shtoi ai.

Estonia, e cila ndan një kufi me Rusinë, e konsideron pushtimin e Ukrainës nga Moska si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e saj kombëtare dhe ka rritur shpenzimet e saj ushtarake në përgjigje.

Letonia dhe Lituania kanë porositur gjithashtu disa sisteme raketash HIMARS.