BOTA, 15 Dhjetor 2022, 08:59

Scholz: Putini nuk ka arritur as një objektiv të vetëm në Ukrainë

Scholz: Putini nuk ka arritur as një objektiv të vetëm në

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se Vladimir Putin kishte bërë një llogari të gabuar në themel me dërgimin e trupave në Ukrainë, duke shtuar se presidenti rus nuk ka arritur as “një objektiv të vetëm” të vendosur përpara sulmit.

Deputetëve në Bundestagun gjerman, Scholz-i u tha se besimi i Putinit se Rusia do të fitonte dhe Ukraina do të bjerë brenda disa ditësh ishte një nënvlerësim masiv.

Putini “besoi se mund të thante solidaritetin e Evropës duke mbyllur rubinetin tonë të gazit,” tha Scholz-i, por ai gaboi “për guximin e ukrainasve, për Evropën, për ne, për karakterin e demokracive tona, për vullnetin tonë për t’i rezistuar manive të fuqive të mëdha dhe imperializmit”.

Scholz nënvizoi mbështetjen e BE për Ukrainën dhe tha se përpjekjet për të minuar këtë mbështetje ishin të dënuara të dështojnë, duke i dërguar indirekt një mesazh Hungarisë, e cila në fillim të kësaj jave hoqi dorë nga kundërshtimet e saj ndaj ndihmës për Kievin.

“Kushdo që mendon se mund të minojë vlerat e B, ndaj të cilave është angazhuar çdo shtet anëtar, duke bllokuar politikat e saj të jashtme dhe të sigurisë, është i dënuar të dështojë”, tha ai.

Scholz mirëpret zgjerimin e BE-së në vendet e Ballkanit

Në fjalën e tij, Scholz-i tha gjithashtu se ishte në interesin e Gjermanisë dhe Evropës që vendet e Ballkanit që aktualisht nuk janë pjesë e BE të anëtarësohen në bllok.

Shumë vëzhgues kanë paralajmëruar se Rusia mund të përpiqet të përdorë ndikimin e saj në rajon për të destabilizuar BE.

Të mërkurën, Scholz përshëndeti rifillimin e bisedimeve të pranimit në BE me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë muajve të fundit, si dhe vendimin e kësaj jave për t’i dhënë Bosnjës statusin e kandidatit të BE, duke iu bashkuar kështu Shqipërisë, Moldavisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, të cilat aspirojnë të anëtarësohen në BE.

Edhe Republika e Kosovës aplikoi të mërkurën zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Dokumenti përkatës u nënshkrua nga presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Konjufca në Prishtinë.

Komentet e kancelarit gjerman vijnë një javë pasi Austria bllokoi Rumaninë dhe Bullgarinë, të cilat u bashkuan me BE në 2007, që të bashkohen me zonën Shengen të Bashkimit Evropian./DW