BOTA, 14 Dhjetor 2022, 15:21

Pas tre gazetarëve, një roje sigurimi humbi jetën në stadiumin “Lusail”, familja akuzon autoritetet e Katarit

Pas tre gazetarëve, një roje sigurimi humbi jetën në
Viktima John Njau Kibue

Një roje sigurie në stadiumin “Lusail” të Kupës së Botës në Katar vdiq të martën pasi u rrëzua gjatë detyrës në ndeshjen Argjentina - Holandë, thanë të mërkurën organizatorët e turneut, Komiteti Suprem për Dorëzimin dhe Trashëgiminë. Familja ka hedhur dyshime mbi vdekjen e tij.

Sipas deklaratës, John Njau Kibue u rrëzua më 10 dhjetor. Shtoi se ekipet mjekësore dolën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ofruan trajtim urgjent përpara se ai të transferohej në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit “Hamad Medical” me ambulancë, ku edhe vdiq.

Ai ishte 24-vjeçar dhe nga Kenia.

Motra e Kibues ka folur për CNN-in, duke akuzuar autoritetet e Katarit se nuk kanë dhënë shpjegime për vdekjen e tij.

“Duam drejtësi. Duam të dimë shkakun e vdekjes së tij. Ata kurrë nuk na dërguan një foto prej ku u rrëzua ai apo të na japin ndonjë informacion”, ka thënë Ann Wanjiru.

Organizatorët thanë se po hetojnë rrethanat që çuan në rrëzimin e tij “si një çështje urgjente” dhe do të japin informacione të mëtejshme në pritje të rezultatit të hetimit.

“Ne gjithashtu do të sigurojmë që familja e tij të marrë të gjitha detyrimet dhe paratë e papaguara”, shtohet në deklaratë.

Javën e kaluar, Katari nisi një hetim për sigurinë në punë për vdekjen e një filipinasi pas raportimeve se ai vdiq ndërsa punonte në një kantier stërvitor gjatë Kupës së Botës.

Gazetarët Khalid al-Misslam, Roger Pearce dhe Grant Wahl, gjithashtu kanë vdekur ndërsa mbulonin Kupën e Botës, e para që mbahet në Lindjen e Mesme. Finalja e Kupës së Botës do të zhvillohet në stadiumin "Lusail" të dielën.