BOTA, 28 Mars 2022, 19:07

Sanksionet e ashpra të Perëndimit pas pushtimit të Ukrainës/ Oligarkët rusë gjejnë “strehë” në Stamboll dhe Dubai

Sanksionet e ashpra të Perëndimit pas pushtimit të Ukrainës/

Oligarkët rusë kanë nisur të derdhin pasuri të paluajtshme në Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe duke kërkuar strehim ekonomik pas pushtimit të Ukrainës nga Moska e cila u pasua me sanksione të ashpra të vendeve perëndimore.

“Ne u shesim shtatë deri në tetë njësi rusëve, çdo ditë”, u shpreh Gul Gul, bashkëthemelues i kompanisë së pasurive të paluajtshme Golden Sign në Stamboll. “Ata blejnë me para në dorë, hapin llogari bankare në Turqi ose sjellin flori”.

Në Dubai, Thiago Caldas, CEO i kompanisë së pasurive të paluajtshme Modern Living, ka punësuar tre agjentë që flasin rusisht për të mbuluar interesat ruse, të cilat sipas tij janë dhjetëfishuar.

Sanksionet e vendosura pas pushtimit rus në Ukrainë përfshijnë përjashtimin e Rusisë nga sistemi bankar SWIFT dhe shënjestrimin e individëve të tillë si oligarkët që besohet se janë të afërt me presidentin Vladimir Putin.

Ndërsa Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kritikuar sulmin rus, Ankaraja kundërshton sanksionet ndaj Rusisë dhe të dy vendet kanë lidhje relativisht të mira me Moskën dhe vazhdojnë të kryejnë fluturime direkte.