BOTA, 24 Qershor 2026, 22:55

Samiti i NATO-s në Ankara, Erdogan kërkon takim dypalësh me Trump

Samiti i NATO-s në Ankara, Erdogan kërkon takim dypalësh me Trump

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi sot se ka shumë gjasa të zhvillojë një takim dypalësh me presidentin amerikan, Donald Trump, gjatë samitit të NATO-s, që do të mbahet në Ankara më 7-8 korrik, raportoi “Reuters”.

Turqia do të presë liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s, si dhe përfaqësues të vendeve partnere nga Gjiri dhe rajoni Azi-Paqësor.

Samiti zhvillohet në një periudhë tensionesh brenda aleancës, lidhur me ndarjen e barrës së mbrojtjes, rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe ankesat e SHBA-së, për angazhimin e aleatëve, në çështje që lidhen me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit gjatë konfliktit SHBA-Iran.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në parlament, Erdogan tha se një takim i veçantë me Trump jashtë agjendës së samitit “ka shumë gjasa të ndodhë”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Presidenti turk ka theksuar më herët se, pjesëmarrja e Trump në samit është e rëndësishme për të demonstruar unitetin e NATO-s.

Marrëdhëniet mes dy liderëve janë afruar që prej rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, me bashkëpunim më të ngushtë në çështje rajonale dhe zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve të hershme, përfshirë çështjen e bankës shtetërore turke “Halkbank”.

Ndërkohë, drejtori i komunikimit i presidencës turke, Burhanettin Duran, tha se ndarja e barrës financiare brenda NATO-s, do të jetë një nga temat kryesore të samitit, në Ankara.

“Sistemi i ri i sigurisë po i nxit aleatët e NATO-s, të rishqyrtojnë shpenzimet e tyre të mbrojtjes. Në këtë kuadër, Turqia synon të arrijë objektivin prej 3,5% plus 1,5% të PBB-së deri në fund të vitit 2030”, u shpreh ai.

Në samit do të marrin pjesë gjithashtu përfaqësues të “Nismës së Bashkëpunimit të Stambollit”, si dhe Japonia, Zelanda e Re, Koreja e Jugut dhe Australia, të njohura si grupi “Katërshja Indo-Paqësore.