BOTA, 24 Qershor 2026, 20:10

Nisma e Trumpit për Gazën, “Bordi i Paqes” mblidhet javën e ardhshme në Qipro

Nisma e Trumpit për Gazën, “Bordi i Paqes” mblidhet

Bordi i Paqes, i krijuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të zhvillojë një takim dyditor në ishullin e Qipros javën e ardhshme, njoftuan sot autoritetet qipriote.

Sipas zëdhënësit të qeverisë Konstantinos Letymbiotis, takimi është planifikuar për datat 30 qershor dhe 1 korrik dhe do të zhvillohet nën mikpritjen e Qipros, e cila nuk është e përfshirë në organizimin e tij.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur se kush do të marrë pjesë në mbledhje, duke theksuar se roli i vendit është vetëm ai i pritësit.

“Bordi i Paqes” u lançua këtë vit, nga presidenti amerikan, Donald Trump me synimin për të hartuar një plan paqeje për Gazën, përfshirë rindërtimin e territorit, çarmatimin e Hamasit dhe krijimin e bazave për një marrëveshje afatgjatë paqeje.

Megjithatë, deri tani iniciativa nuk ka sjellë rezultate të dukshme konkrete.

Qeveria qipriote ka deklaruar se mbështet në parim, planin amerikan për Gazën dhe është e përfshirë kryesisht, përmes projekteve humanitare.

Qiproja, si shteti anëtar i Bashkimit Evropian më afër Lindjes së Mesme, ndodhet rreth 350 kilometra larg Rripit të Gazës, duke e bërë një pikë strategjike, në kontekstin e krizës në rajon.