BOTA, 4 Maj 2024, 17:12

Sadiq Khan zgjidhet për herë të tretë kryebashkiak i Londrës

Sadiq Khan zgjidhet për herë të tretë kryebashkiak i

Mbretëri e Bashkuar - Laburisti Sadiq Khan, ka fituar mandatin e tretë si kryebashkiak i Londrës, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në 2 maj. Fitorja e tij është historike dhe e bën personin e parë që ka shërbyer kaq gjatë në këtë post. 

Khan ka arritur të mundë rivalen e tij direkte, konservatoren Susan Hall, me rreth 43.8% të votave, kundrejt 32.7% të siguruara nga Hall. 

Zgjedhjet lokale kanë qenë një disfatë e madhe për konservatorët, që kanë humbur këshilltarë dhe bashki në mbarë vendin, rezultat që shihet nga ekspertët zgjedhorë si një lajm i keq për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të cilat pritet të mbahen deri në fund të këtij viti. 

Temat që mbizotëruan fushatën zgjedhore, ishin menaxhimi i kriminalitetit në rritje, sidomos krimet me thikë, por edhe menaxhimi i protestave masive pro Palestinë që janë mbatur muajt e fundit në rrugët e kryeqytetit. 

Një tjetër çështje kyç, që pritej ta dëmtonte Khan, është zgjerimi i skemës së tij konstroverse, ULEZ, për vendosjen e një takse qarkullimi për mjetet më të vjetra, që nuk përshtaten me rregullat e përcaktuara nga skema. Khan vazhdimisht e ka mbrojtur skemën, si një mënyrë për të reduktuar ndotjen. Zgjerimi i skemës solli mjaft pakënaqësi dhe kandidatja konservatore, Susan Hall, kishte premtuar anullimin e saj të menjëhershëm, çka tashmë nuk ka mundësi të ndodhë. 

Khan ka premtuar ndërtimin e 40,000 banesave komunale deri në vitin 2030, shtimin e 1300 policëve në komunitet, ngrirjen e rritjes së kostove të transportit publik dhe një sërë masash të tjera me fokus te siguria, mirëqenia dhe mjedisi.