BOTA, 12 Qershor 2024, 14:58

Raporti i OKB-së: Izraeli dhe Hamasi kryen krime lufte në Gazë

Raporti i OKB-së: Izraeli dhe Hamasi kryen krime lufte në Gazë

Si Izraeli, ashtu edhe grupet e armatosura palestineze në Rripin e Gazës kanë kryer krime lufte që prej fillimit të saj më 7 tetor të vitit të kaluar, sipas një raporti të Këshillit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut, më 12 qershor.

Krimet e luftës të Izraelit përfshijnë urinë e popullsisë si një mjet lufte, sulme të qëllimshme ndaj civilëve dhe objekteve civile, dhunë seksuale, tortura dhe trajtim çnjerëzor, thuhet në raport.

Komisioni rendit sulmet ndaj civilëve, torturën, trajtim çnjerëzor dhe mizor dhe marrjen e pengjeve si krime lufte të kryera nga shtatë grupe të armatosura palestineze, më së shumti nga Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

“Është e domosdoshme që të gjithë ata që kanë kryer krime të mbahen përgjegjës”, tha kryetarja e Komisionit të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, Navi Pillay.

Pillay i bëri thirrje Izraelit që t’i japë fund aksionit të tij ushtarak në Rripin e Gazës.

Ajo bëri thirrje gjithashtu që të ndalen sulmet nga grupet e armatosura palestineze dhe për lirim të të gjitha pengjeve.

“Marrja e pengjeve përbën një krim lufte“, tha Pillay.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Izraeli thotë se më shumë se 100 pengje po mbahen ende në Gazë, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve.

Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi të hënën një rezolutë për ta mbështetur propozimin e Shteteve të Bashkuara, me 14 vota për dhe asnjë kundër. Rusia abstenoi.

Propozimi i presidentit amerikan Joe Biden përfshin tri faza për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

Faza e parë përfshin një armëpushim gjashtëjavor, gjatë të cilit forcat izraelite do të tërhiqeshin nga “të gjitha zonat e banuara“ të Gazës, disa pengje – të moshuar dhe gra – do të liroheshin në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë; civilët palestinezë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazë; dhe 600 kamionë në ditë do të dërgonin ndihmë humanitare në enklavën e rrënuar.

Në fazën e dytë, do të shkëmbeheshin të gjitha pengjet e gjalla, përfshirë ushtarë; forcat izraelite do të tërhiqeshin nga Gaza dhe armëpushimi i përhershëm do të niste.

Faza e tretë parasheh një plan të madh rindërtimi për Gazën, si dhe rikthimin e “mbetjeve të fundit” të pengjeve te familjet e tyre./rel