BOTA, 11 Qershor 2024, 17:41

Bleu armë, edhe pse ishte konsumator i lëndëve narkotike. Shpallet fajtor djali i Presidentit Joe Biden

Bleu armë, edhe pse ishte konsumator i lëndëve narkotike.

Djali i presidentit amerikan Joe Biden, Hunter Biden është shpallur fajtor, pasi u faktua se gënjeu nëse kishte konsumuar drogë kur bleu një armë.

Pasi dëgjoi dëshmitë dhe provat e dëshmitarëve në gjyqin penal të profilit të lartë, një juri në shtetin amerikan të Delaware e shpalli fajtor djalin e presidentit për tre akuzat. Kështu, Hunter Biden bëhet fëmija i parë i një presidenti në detyrë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që dënohet për një krim.

Hunter Biden përballet me një maksimum prej 25 vitesh burgim pasi u shpall fajtor për tre akuza për krime. Dënimi maksimal për deklarim të rremë në blerjen e armës është 10 vjet.

Dënimi maksimal për bërjen e një deklarate të rreme në lidhje me informacionin që kërkohet të mbahet nga tregtari federal i licencuar i armëve të zjarrit është 5 vjet. Sakaq, dënimi maksimal për mbajtjen e armës së zjarrit nga një person që është përdorues i paligjshëm ose i varur nga një substancë e kontrolluar është 10 vjet.