BOTA, 19 Shkurt 2024, 15:06

Qindra fermerë protestojnë me traktorë në qendër të Pragës

Qindra fermerë protestojnë me traktorë në qendër

Qindra fermerë çekë me traktorët e tyre mbushën qendrën e Pragës, jashtë Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa u bashkuan me demonstratat kundër kostove të larta të energjisë, burokracisë dhe Marrëveshjes së Gjelbër të Bashkimit Europian.

Disa qindra protestues jashtë Ministrisë së Bujqësisë mbanin pankarta në duar me fjalët “turp” dhe “dorëheqje” ministrit, i cili nuk ka takuar organizatorët e demonstratës së traktorëve.

“Demonstrata e sotme ka pak të përbashkëta me luftën për kushte më të mira për fermerët,” shkroi kryeministri Petr Fiala në platformën e mediave sociale X, duke shtuar se disa nga organizatorët e saj janë afër Rusisë dhe kanë synime të tjera politike.

“Ne po negociojmë me ata që përfaqësojnë fermerët dhe po diskutojmë se cilat janë nevojat tona bujqësore,” tha Fiala.

Dhoma e Bujqësisë u bëri thirrje anëtarëve të saj që të enjten të bashkohen me fermerët e tjerë europianë në pikat kufitare.