BOTA, 19 Shkurt 2024, 12:50

Dalin pamjet, si dyshohet të jetë transportuar trupi i pajetë i Alexei Navalny

Dalin pamjet, si dyshohet të jetë transportuar trupi i pajetë i

Një autokolonë misterioze prej katër automjetesh kalon mbi lumin e ngrirë Ob në mesnatën e 16 shkurtit, me dy makina patrullimi, një sedan gri dhe një minibus UAZ që dyshohet se i përket FSIN, Shërbimit Federal të Burgjeve të Rusisë.

Mjetet lëvizin me shpejtësi më të ngadaltë se disa makina të tjera në rrugë.

Në videon e publikuar, kolona shihet duke lëvizur në të vetmen rrugë që lidh Labitnangi (qyteti më i afërt me koloninë penale “Ujku Polar”, ku Alexei Navalny po kryente një dënim 30-vjeçar) me Salekhard, në veri të Siberisë, i cili ndodhet rreth 50 km larg burgut.

Besohet se kjo autokolonë mbante trupin e avokatit dhe disidentit 47-vjeçar, Alexei Navalny, i cili ende nuk i është dorëzuar familjes së tij më shumë se tre ditë pas vdekjes së tij tragjike.

Vendndodhja e saktë e trupit të Navalny dhe gjendja e tij kanë qenë objekt spekulimesh gjatë 24 orëve të fundit. Ndonëse familja e 47-vjeçarit ka kërkuar vazhdimisht që t’i dorëzohet trupi i tij i pajetë, ata janë përballur me refuzime të vazhdueshme nga autoritetet, të cilët në këtë mënyrë po përpiqen të “mbulojnë gjurmët” sipas bashkëpunëtorëve të Navalny.