BOTA, 5 Tetor 2022, 21:34

Pse po kërkon Gjermania ta ndryshojë Europën?

Pse po kërkon Gjermania ta ndryshojë Europën?

Bashkimi Evropian është një entitet kompleks dhe i ndryshëm nga çdo lloj aleance tjetër politike në mbarë botën.

Dhe si e tillë, ajo ka pësuar ndryshime të herëpashershme.

Bëji disa njerëz bashkë dhe secili do të bërtasë idetë e tij, ndaj edhe udhëheqësit europianë gjithashtu kanë bërë thirrje të vazhdueshme për ndryshime – secili në aspektet që i interesojnë shtetit të tij.

Macron – për shembull – mund të jetë udhëheqësi më i zëshëm kur vjen puna tek reformimi i Europës, duke bërë vazhdimisht propozime për projekte europiane si ‘autonomia strategjike’ apo edhe krijimi i një Komuniteti Europian, i cili mund të përbëhet nga pjesëtarë si Ukraina apo edhe Mbretëria e Bashkuar.

Sidoqoftë, muajin e shkuar, Kancelari Gjerman Olaf Scholz i cili kishte kohë që nuk e prekte këtë temë, dha një fjalim të rëndësishëm nga Universiteti Charles në Pragë, i cili shtroi disa propozime rreth një ‘vizioni të ri për Europën’.

Mbi të gjitha, ai është i rëndësishëm sepse Gjermania është ekonomia më e madhe aktualisht në Europë.

Së bashku me Francën, Gjermania ka qenë qysh prej fillimit në epiqendër të projektit të Bashkimit Europian.

Komuniteti Europian i Qymyrit dhe Çelikut – i njohur edhe si paraardhësi origjinal i Bashkimit Europian, ishte në thelb projekti i Francës për ta bërë të pamundur luftën me Gjermaninë, por edhe për ta nënshtruar industrinë gjermane ndaj rregullave dhe kontrollit që bazoheshin në parimet e supernacionalizmit.

Gjithashtu, ishte sërish propozimi i përbashkët franko-gjerman i cili çoi në krijimin e monedhës së përbashkët evropiane – euros.

Të gjitha këto janë arsye të rëndësishme pse vizion i Olaf Scholz ka shumë rëndësi në këto momente, veçanërisht sepse idetë e tij janë në të njëjtën linjë me idetë e liderit francez, Emmanuel Macron.

3 janë çështjet kryesore që Scholz kërkon të ndryshojë rreth Bashkimit Europian aktual.

Së pari, është çështja e Mbrojtjes së Përbashkët.

Lufta në Ukrainë e ka tronditur Europën në një pikë ku ka arritur të nxjerr në pah shumë fusha në të cilat ajo ka disa mangësi të thella.

Sipas shumë analistëve, propozimet e Macron për një ‘autonomi strategjike’ po tingëllojnë gjithnjë e më të arsyeshme qysh prej fillimit të luftës.

Kjo sepse, lufta e bëri edhe më të qartë se një politikë e përbashkët e mbrojtjes në BE mungon, dhe mjafton të shohësh se nuk ka një ushtri të përbashkët europiane.

Në fakt, kjo ide e mbrojtur me zë të lartë nga Macron prej kohësh, ka hasur shpesh rezistencën e shumë shteteve anëtare.

Por, gjatë fjalimit të tij Scholz propozoi krijimin e një Sistem të ri Evropian të Mbrojtjes Ajrore, duke u zotuar se Gjermania do të bënte investime të konsiderueshme në vitet e ardhshme.

“Ne kemi shumë punë për të bërë në Evropë, kur vjen puna për të mbrojtur veten kundër kërcënimeve ajrore dhe hapësinore” – tha Scholz.

Dhe edhe pse ky propozim është shumë larg atij të Macron për krijimin e një ushtrie të përbashkët europiane, ai është padyshim një hap në të njëjtin drejtim.

Për sa i përket çështjes së dytë, Scholz foli edhe për problemin e zgjerimit.

Bashkimi Evropian nuk është zgjeruar që nga viti 2013, kur Kroacia u anëtarësua.

Në fakt ai është tkurrur nëse marrim parasysh se Britania e Madhe u largua me anë të fushatës së Brexit.

Dhe vetoja kombëtare kontribuon gjithashtu në këtë çështje, duke qenë se në ditët e sotme shumica e vendimeve në BE merren nga një shumicë e cilësuar e anëtarëve që do të thotë se, që një propozim të pranohet, të paktën 55% e shteteve anëtare të BE-së që duhet të përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë totale të saj duhet të votojë pro.

Deri këtu është në rregull, por kjo nuk vlen për çështjet e politikës së jashtme – të cilat kërkojnë unanimitet absolut.

Me fjalë të tjera, nëse një shtet i vetëm anëtar vendos veton, vendimi dështon.

Kjo ka ndodhur në shumë raste si kur Hungaria kërcënoi se do të vendoste veton ndaj sanksioneve ruse nëse nuk merrte një sërë koncesionesh të miratuara në këmbim.

Ose në rastin e bllokimit të Bullgarisë në negociatat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nëse një sërë kërkesash të saj nuk plotësoheshin.

Duket qartazi si një këngë që e kemi dëgjuar shpesh dhe deri tani ajo ka rezultuar të jetë gati gjithmonë e suksesshme.

Ja pse, Scholz në fjalimin e tij tha se reforma është absolutisht e nevojshme në këto dy aspekte pasi çështja e unanimitetit sipas tij, funksionon vetëm nëse presioni për të vepruar është i ulët.

Në rastet kur presioni është i lartë si krizat e mëdha apo lufta në Ukrainë, nevoja për veprim të menjëhershëm nga ana e BE-së ndalohet nga ky standard i cili sipas kancelarit gjerman duhet ndryshuar sa më parë.

Në të njëjtën kohë, ai tha se rreziku që një vend i caktuar të përdorë veton e tij për të parandaluar veprimet apo për të arritur interesa të veçanta, rritet me çdo shtet anëtar që i shtohet bllokut.

Ja pse, sipas Scholz, BE-ja duhet gradualisht të largohet nga unanimiteti për të përqafuar ‘votimin e shumicës‘ kur vjen puna për të vendosur për një politikë të jashtme të përbashkët.

Këto ishin vetëm disa nga propozimet e kancelarit gjerman por duket se lufta në Ukrainë, pandemia dhe krizat e njëpasnjëshme me të cilat po përballemi po e bëjnë gjithnjë e më të dukshme nevojën e BE-së për t’u bërë e pavarur dhe e vetëqëndrueshme.

Se sa këto ide do ta ndihmojnë Europën për t’i arritur këto qëllime në një situatë kaq të komplikuar, vetëm koha do ta tregojë.