BOTA, 10 Janar 2023, 11:15

“Presidentja të japë dorëheqjen, njerëzit nuk e duan”- Protesta të dhunshme në Peru pas arrestimit të ish-Kreut të Shtetit, 17 të vdekur

“Presidentja të japë dorëheqjen, njerëzit nuk e

Të paktën 17 persona kanë vdekur në përleshjet mes mbështetësve të ish-presidentit dhe forcave të sigurisë në Perunë juglindore.

Dhjetëra të tjerë u plagosën të hënën në qytetin e Juliaca. Dhuna erdhi pasi ish-presidenti Pedro Castillo u arrestua muajin e kaluar pas një përpjekje për të shpërndarë Kongresin.

Mbështetësit e tij kanë protestuar dhe bllokuar rrugët prej javësh. Ata thonë se presidentja e re Dina Boluarte duhet të largohet dhe duan zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri Alberto Otárola denoncoi përleshjet në Juliaca, duke i përshkruar ato si një sulm të organizuar ndaj policisë.

Ai tha se mijëra njerëz ishin përpjekur të pushtonin aeroportin e qytetit dhe një stacion policor lokal.

Ndërkohë, një protestues i tha agjencisë së lajmeve AFP: “Policia po qëllon mbi ne”.

“I kërkojmë Dina Boluarte të japë dorëheqjen, prano faktin që njerëzit nuk të duan”, shtoi protestuesi.

Juliaca ndodhet në rajonin Puno, i cili ka qenë një vatër e demonstratave antiqeveritare. Kombi i Amerikës së Jugut ka kaluar nëpër vite trazirash politike, me krizën e fundit që erdhi kur Castillo njoftoi se po shpërndante Kongresin dhe do të vendoste një gjendje të jashtëzakonshme në dhjetor.

Por Kongresi votoi për shkarkimin dhe më pas arrestimin e tij.

Castillo, i cili aktualisht është në paraburgim, po hetohet për akuzat për rebelim dhe komplot. Ai mohon të gjitha akuzat, duke këmbëngulur se është ende presidenti legjitim i vendit.