BOTA, 9 Janar 2023, 14:12

Trazirat në Brazil/ Policia arrin në kampin e protestuesve jashtë selisë së ushtrisë, forcat e sigurisë rifitojnë kontrollin e zonës përreth Kongresit dhe Gjykatës së Lartë

Trazirat në Brazil/ Policia arrin në kampin e protestuesve jashtë

Policia e Brazilit ka mbërritur në një kamp jashtë selisë së ushtrisë në Brasilia për të larguar mbështetësit e ish-presidentit Jair Bolsoanro, pas trazirave të ditës së djeshme, ku u zulmuan disa godina të institucioneve të vendit.

BBC raporton se për momentin nuk është e qartë nëse demonstruesit do të largohen paqësisht nga kampi. Shumë prej tyre janë ende në çadrat e tyre, por duket se disa kanë filluar të përgatiten për t’u larguar.

Kujtojmë se disa protestues kanë qëndruar në kampe në të gjithë vendin që nga zgjedhjet presidenciale në tetor dhe duan një ndërhyrje ushtarake kundër qeverisë së Presidentit Luiz Inácio Lula da Silva, i njohur ndryshe si Lula.

Çfarë ka ndodhur që nga trazirat?

Forcat braziliane të sigurisë kanë rifituar kontrollin e zonës përreth Kongresit dhe Gjykatës së Lartë në Brasilia dhe qindra njerëz janë arrestuar nga policia.

Është shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe forcimi i sigurisë në qytet, ndërsa guvernatori i Brasilias, një ish-aleat i Bolsonaros, është pezulluar për dështime të sigurisë.

Një tubim pro-demokracisë është planifikuar për rreth orës 21:00 me orën lokale në kryeqytet, ndërsa Lula do të takohet edhe me guvernatorët e shtetit gjatë ditës së sotme.

Mbështetësit e Bolsonaros refuzojnë të pranojnë humbjen e tij në zgjedhje tetorin e kaluar, nga rivali i tij socialist, Luiz Inacio Lula da Silva (i njohur si Lula), i cili mori pushtetin një javë më parë.