BOTA, 9 Janar 2023, 12:26

Sulmi mbi institucionet e Brazilit/ Zbulohet skema e organizimit të protestuesve përmes Telegram-it

Sulmi mbi institucionet e Brazilit/ Zbulohet skema e organizimit të

Kanë dalë të tjera detaje rreth sulmit të ditës së djeshme të një grupi protestuesish mbi Kongresin në Brazil.

Sipas BBC, bëhet me dije se sulmet mbi Kongres u organizuan përmes rrjetit social Telegram.

Dhjetra mesazhe të shpërndara nga mbështetësit e Jair Bolsonaro në Telegram gjatë gjithë javës dukej se parashikonin sulmin e pallateve qeveritare në Brasilia, kryeqytetin e Brazilit.

Ftesa e tyre për protestuesit në Telegram hapet me frazën “Ejani të gjithë në festë!”.

Në një mesazh të dërguar të premten, një burrë ofron hapësira të disponueshme në “autobusë falas” me “gjithçka falas: ujë, kafe, drekë, darkë”.

Autoritetet braziliane janë nën vëzhgim për një mungesë të supozuar të planeve për të shmangur krizën.

Në një mesazh tjetër, mbështetësit e Bolsonaro u kërkojnë “hakerëve dhe ekspertëve të IT” që “të pushtojnë të gjitha sistemet qeveritare” dhe njerëzve të armatosur që të mbrojnë patriotët.

Ata ftuan gjithashtu rezervistë nga “ushtria dhe policia” që “të ndajnë përvojën taktike dhe të udhëheqin kapjen e Brasilias dhe qeverisë së saj të rreme”.

Të shtunën, një burrë shpërndau një video që tregon ndërtesat qeveritare me këtë mbishkrim: “Nesër është dita. Meqë ra fjala, tani e tutje emocionet do të jenë të forta”.

“Grushti i shtetit nuk është nga presidenti Bolsonaro. Grushti i shtetit nuk është i Forcave të Armatosura”, thuhet në një tjetër mesazh.

“Grushti i shtetit është nga populli brazilian dhe do të jetë fatal”, thotë ai.

Ndërkohë partnerët ndërkombëtarë i kanë dënuar skenat e dhunës në Brasilia, pasi mijëra mbështetës të Jair Bolsonaro sulmuan Kongresin dhe ndërtesat e tjera publike.

Pjesë e sulmit ka qenë edhe ndërtesa e Kongresit Kombëtar të kryeqytetit.

Protestuesit sulmuan gjithashtu dy institucione të tjera në shesh, të njohur si Pallati Planalto (zyra presidenciale) dhe Gjykata e Lartë.

Fotot tregojnë shkallën e dëmtimit në këto tre ndërtesa, panele të ndryshme të dritareve janë thyer, mobiljet janë përmbysur dhe mbeturinat janë shpërndarë dukshëm në tokë.

Presidenti Luiz Inacio Lula da Silva ka qenë në të tre degët e qeverisë braziliane për të inspektuar dëmet pas sulmit të dhunshëm.